Secondary Adv

Vlera e kredive të garantuara nga qeveria bie në nivelin më të ulët të dekadës

Borxhi i brendshëm i garantuar nga qeveria shqiptare ka rënë në nivelin më të ulët në 10 vjet, pas zhvendosjes së garancive drejt institucioneve financiare.

Rënie me 40% në krahasim me fundin e vitit 2024

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në fund të nëntëmujorit 2025, vlera e borxhit të brendshëm të garantuar arriti në 8.55 miliardë lekë, në rënie me 37% krahasuar me tremujorin e dytë dhe me rreth 40% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Rënia lidhet kryesisht me rifinancimin e kredive të disa kompanive publike të energjisë te Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila ka marrë përsipër garancinë sovrane në vlerën e rreth 46 milionë eurove.

 

Kreditë energjetike, ndikimi kryesor

Kreditë e rifinancuara ishin marrë më parë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE) dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal pranë tri bankave vendase: Tirana Bank (20 milionë euro), Banka Amerikane e Investimeve (10 milionë euro) dhe Raiffeisen Bank (16.4 milionë euro). Ky rifinancim, sipas Ministrisë së Financave, ul detyrimet e garantuara të brendshme dhe çliron kapacitete të reja kreditimi për sektorin privat.

 

Edhe pas këtij transferimi, kompanitë publike të energjisë vijojnë të përbëjnë rreth 75% të totalit të garancive të brendshme të qeverisë, duke ruajtur rolin dominues në strukturën e borxhit të garantuar.

 

Garancitë për bizneset private bien me 33%

Garancitë sovrane në favor të bizneseve private në fund të shtatorit 2025 ishin 2.1 miliardë lekë, në rënie me 33% që nga fillimi i vitit. Këto i përkasin katër skemave të miratuara nga qeveria gjatë viteve të fundit, përfshirë garancinë për pagat, rimëkëmbjen e bizneseve pas pandemisë, tregtarët e produkteve ushqimore bazë dhe industrinë përpunuese. Skema e rimëkëmbjes së vitit 2020 përbën mbi 93% të garancive aktive për sektorin privat, ndërsa skemat e viteve 2022 dhe 2024 janë përdorur në mënyrë minimale.

 

Përdorim i ulët i skemave pas pandemisë

Sipas bizneseve, skemat e garancisë sovrane nuk kanë qenë aq efektive sa pritej, pasi mbulimi i pjesshëm nga shteti dhe normat e interesit të ngjashme me tregun nuk kanë ofruar lehtësira të mjaftueshme për sipërmarrjet që kërkonin financim.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat