Secondary Adv

Familjet me fëmijë përballen me rritje rekord të kostove të jetesës

Viti 2024 ka shënuar një rritje të fortë të shpenzimeve për familjet me fëmijë, të cilat janë goditur më shumë se çdo kategori tjetër nga rritja e çmimeve dhe kostove të jetesës, sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve.

Shpenzime mujore mbi 106 mijë lekë për familjet me fëmijë

Të dhënat zyrtare tregojnë se familjet me dy të rritur dhe fëmijë kanë shpenzuar mesatarisht 106 mijë lekë në muaj në vitin 2024, rreth 14 mijë lekë më shumë se një vit më parë. Kjo përbën një rritje vjetore prej 14.7%, më e larta ndër të gjitha tipologjitë familjare. Në krahasim, mesatarja kombëtare e shpenzimeve mujore është 93 mijë lekë, çka tregon se familjet me fëmijë mbartin barrën më të rëndë të kostove të jetesës.

 

Kategoritë më të prekura

Ndërsa personat e vetëm kanë parë një rritje minimale të shpenzimeve (1.7%), familjet e vetme me fëmijë janë përballur me një shtesë prej 8.3%. Familjet me dy të rritur pa fëmijë kanë pasur një rritje prej 10%, ndërsa ato më të mëdha, me tre ose më shumë të rritur, një rritje më të moderuar prej 5.5–7.7%.

 

Kjo tregon se familjet me fëmijë dhe strukturë të vogël përballen më fort me efektet e inflacionit dhe rritjes së çmimeve bazë, për shkak të varësisë më të madhe nga ushqimi, energjia dhe arsimi.

 

Çmimet e ushqimeve dhe arsimit, nxitësit kryesorë

Produkte si bulmeti, mishi, frutat dhe perimet kanë vijuar të mbeten më të shtrenjta se mesatarja e viteve të kaluara, duke ndikuar ndjeshëm buxhetet familjare. Një tjetër faktor është rritja e tarifave të shkollave, çerdheve, kurseve private dhe aktiviteteve jashtëshkollore. Edhe pse arsimi publik është falas, shumë familje zgjedhin shkollat private apo kurse ndihmëse, të cilat janë bërë ndjeshëm më të kushtueshme në 2024.

 

Qiratë dhe shërbimet rrisin presionin financiar

Rritja e qirave në qytetet kryesore si Tirana, Durrësi dhe Vlora ka qenë një tjetër faktor që ka rënduar buxhetin e familjeve që nuk zotërojnë banesën e tyre. Sipas të dhënave të tregut të pasurive të paluajtshme, qiratë për apartamentet me sipërfaqe më të madhe janë rritur ndjeshëm gjatë vitit 2024, duke shtuar barrën për familjet me fëmijë.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat