Secondary Adv

Dështon sërish LIFT Tower, anulohet procedura pas mungesës së interesit

Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) ka anuluar për herë të radhës procedurën për përzgjedhjen e partnerit privat për ndërtimin e “Lift Tower”, pasi në afatin e përcaktuar nuk u paraqit asnjë aplikant.

Anulim për mungesë interesi

“Ky njoftim ju komunikon vendimin e Korporatës për anulimin e procedurës për përzgjedhjen e Partnerit Privat për zbatimin e kontratës ‘Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i Lift Tower’. Arsyeja e anulimit: nuk u paraqit asnjë aplikant në datën dhe orën e caktuar,” – thuhet në njoftimin zyrtar të KISH. Kjo është një tjetër procedurë e dështuar për projektin, pasi edhe shpalljet e mëparshme nuk kanë ngjallur interes nga sektori privat për të hyrë në partneritet me shtetin për zhvillimin e pronave publike.

 

Projekt për zhvillimin e pronave publike

“Lift Tower” është pjesë e një programi më të gjerë të qeverisë që synon transformimin e godinave publike të amortizuara në godina bashkëkohore, duke i zhvilluar përmes partneriteteve publike–private. Projekti është parashikuar të shërbejë për ndërtimin dhe menaxhimin e godinës së re të Kadastrës Shqiptare.

 

Sipas KISH, projekti bazohet në një model partneriteti ku Korporata vepron si zhvillues dhe ndërmjetësues midis institucioneve publike dhe sektorit privat, ndërsa investitori privat duhet të sigurojë financimin dhe realizimin e ndërtimit. Në këmbim, partneri privat përfiton të drejtën për të zhvilluar pjesë të truallit publik për projekte të tjera, nga shitja e të cilave do të rikuperojë investimin e kryer.

 

Qëllimi dhe vizioni i projektit

Projekti “Lift Tower” parashikon ndërtimin e një godine moderne për Kadastrën, si pjesë e nënprojektit “Ndërtimi dhe menaxhimi i godinës së Kadastrës Shqiptare”. Ai synon jo vetëm përmirësimin e kushteve të punës për administratën publike, por edhe gjallërimin urban të zonës ku do të ndërtohet. KISH thekson se projekti mbart interes publik, pasi ndihmon në rigjallërimin e hapësirave shtetërore të vjetruara dhe në nxitjen e zhvillimit urban e ekonomik.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat