Ballkani Perëndimor drejt ndalimit të plastikës njëpërdorimëshe deri në vitin 2030
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vendosur objektiva të përbashkëta për ndalimin e plastikës njëpërdorimëshe (SUPs) dhe kalimin drejt një ekonomie rrethore deri në vitin 2030.

Një plan i ri veprimi për mbrojtjen e mjedisit
Sipas planit të rishikuar të veprimit rajonal, deri në vitin 2030, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia) do të eliminojnë përdorimin e plastikës njëpërdorimëshe, duke futur standarde të reja për paketimin dhe riciklimin. Kjo nismë rajonale përbën një hap të rëndësishëm drejt përputhjes me Strategjinë Evropiane për Plastikat dhe objektivat e Bashkimit Evropian për ekonominë e gjelbër.
Afatet dhe objektivat kryesore
Plani përcakton një kalendar të qartë veprimi: deri në vitin 2028, vendet e rajonit do të miratojnë strategjitë kombëtare për reduktimin e ndotjes plastike, ndërsa 5 produktet më ndotëse të plastikës (qeset, shishet, mbështjellëset e ushqimit, pirunët dhe gotat plastike) do të ndalohen ose kufizohen ndjeshëm në të paktën tre vende të rajonit.
Po në këtë fazë, pritet që të gjitha shtetet të kenë funksionale sistemet e Zgjerimit të Përgjegjësisë së Prodhuesit (EPR) për paketimin plastik, duke siguruar ulje me 80% të produkteve më ndotëse krahasuar me vitin bazë 2023.
Deri në vitin 2029, të paktën 50% e paketimit plastik duhet të jetë i riciklueshëm, i ripërdorshëm ose i tretshëm, ndërsa deri në vitin 2030 duhet të sigurohet që çdo paketim plastik të përmbajë të paktën 30% material të ricikluar, në përputhje me standardet e BE-së.
Monitorimi dhe raportimi i progresit
Dokumenti përcakton se çdo vend duhet të monitorojë dhe raportojë sasinë vjetore të mbetjeve plastike në zonat bregdetare dhe detare, duke përdorur tregues të unifikuar rajonalë. Të gjitha paketimet do të duhet të mbajnë etiketa që tregojnë përqindjen e përmbajtjes së ricikluar dhe shkallën e riciklueshmërisë ose tretshmërisë së tyre.
Verifikimi do të bëhet përmes strategjive kombëtare, raporteve zyrtare dhe akteve ligjore që do të përcaktojnë qartë ndalimin, kufizimin dhe riciklimin e plastikës.
Një hap drejt ekonomisë qarkulluese
Kjo nismë rajonale bazohet në Deklaratën e Sofjes për Agjendën e Gjelbër dhe Deklaratën e Përbashkët Rajonale për Ndotjen Plastike (2023), që theksojnë nevojën urgjente për të frenuar ndotjen plastike dhe për të avancuar drejt një modeli ekonomik të qëndrueshëm. Qëllimi përfundimtar është që deri në vitin 2030, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë eliminuar plastikën njëpërdorimëshe dhe që çdo paketim plastik në treg të jetë i ripërdorshëm, i riciklueshëm ose i tretshëm.
Shqipëria, pjesë e procesit rajonal
Shqipëria është një nga vendet që ka nisur tashmë zbatimin e masave për ndalimin e plastikës njëpërdorimëshe dhe për zhvillimin e skemave të riciklimit dhe mbledhjes së diferencuar të mbetjeve. Në kuadër të këtij plani, pritet që vendi të harmonizojë plotësisht legjislacionin kombëtar me direktivat e BE-së dhe të vendosë kuota të detyrueshme për përdorimin e plastikës së ricikluar në industri.
Burimi: ekofin.al
Më të lexuarat






