Raporti i ISHSH: Mungesë e kushteve higjieno-sanitare në institucionet arsimore
Një raport i fundit i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) për vitin 2024 tregon se shumë institucione arsimore në Shqipëri vijojnë të funksionojnë në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare.

Inspektime në mbi 12 mijë institucione gjatë vitit 2024
Sipas të dhënave zyrtare, trupat inspektuese të ISHSH kanë zhvilluar gjithsej 12,365 inspektime dhe 765 ri-inspektime në shkolla, çerdhe, kopshte, universitete, qendra shëndetësore, institucione sociale, biznese farmaceutike dhe shërbime estetike. Qëllimi kryesor i këtyre kontrolleve ishte garantimi i kushteve bazike të higjienës dhe mbrojtjes së shëndetit publik në mjedise me frekuencë të lartë njerëzish, veçanërisht në ambientet ku qëndrojnë fëmijët dhe të rinjtë.
Fokusi te institucionet arsimore
Një pjesë e konsiderueshme e inspektimeve është përqendruar në sistemin arsimor. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë kryer 4,033 kontrolle në shkolla, çerdhe, kopshte, universitete dhe konvikte, për të verifikuar zbatimin e standardeve sanitare dhe shëndetësore. Prej tyre, 3,944 ishin inspektime të rregullta, ndërsa 89 ishin ri-inspektime pas gjetjeve të mëparshme. Qarku i Tiranës ka mbajtur numrin më të lartë të inspektimeve (701 gjithsej), i ndjekur nga Vlora, Shkodra dhe Durrësi.
Gjetje shqetësuese: lagështi dhe tualete jashtë standardeve
Raporti nënvizon se një numër i lartë shkollash vijon të përballet me probleme të përsëritura si: prani lagështie në klasa dhe korridore, tualete të amortizuara, mungesë furnizimi me ujë të rrjedhshëm apo të ngrohtë, si dhe infrastrukturë të degraduar. Në shumë raste, ambientet janë ndërtuar dekada më parë dhe nuk janë rikonstruktuar asnjëherë sipas standardeve bashkëkohore të higjienës dhe sigurisë për nxënësit.
Një tjetër problem i evidentuar është mungesa e dokumentacionit sanitar të detyrueshëm, si për ambientet ashtu edhe për personelin arsimor dhe ndihmës. Në disa çerdhe dhe kopshte janë konstatuar edhe mangësi në dosjet e fëmijëve, përfshirë mungesën e vërtetimeve të vaksinimit dhe të analizave periodike shëndetësore.
Masa administrative dhe paralajmërime
Si pasojë e shkeljeve të konstatuara, ISHSH ka vendosur gjatë vitit 2024 një sërë masash administrative: 7 gjoba, 6 vendime për mbyllje provizore të institucioneve që paraqisnin rrezik për shëndetin publik dhe 439 paralajmërime për përmirësimin e kushteve brenda afateve të caktuara. Këto shifra tregojnë një nivel të lartë të mosrespektimit të rregullave bazike sanitare në institucionet arsimore dhe parashkollore.
Standardet higjienike mbeten sfidë
Raporti i ISHSH thekson se, megjithëse ndërgjegjësimi institucional për rëndësinë e higjienës është rritur, infrastruktura shkollore dhe kujdesi për ambientet e mësimit vazhdojnë të jenë një hallkë e dobët e sistemit publik. Në shumë raste, respektimi i standardeve sanitare shihet më shumë si një detyrim formal sesa praktikë e përhershme. Ekspertët kërkojnë ndërhyrje urgjente investuese në infrastrukturën e shkollave dhe forca më të madhe monitorimi për të siguruar mjedise të shëndetshme për nxënësit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






