Investimet e individëve në bono dhe obligacione në rënie për të dytin vit radhazi
Interesi i qytetarëve për të investuar në titujt e borxhit të qeverisë ka vijuar të ulet gjatë vitit 2025, duke shënuar rënie të ndjeshme si në vlerë, ashtu edhe në numrin e transaksioneve.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se investimet e individëve në bono dhe obligacione kanë zbritur në nivelin më të ulët të dy viteve të fundit.
Rënie me 17% e vlerës së investimeve
Sipas statistikave të AMF-së, për 9-mujorin e vitit 2025, individët investuan gjithsej 19.3 miliardë lekë në ankandet e bonove dhe obligacioneve, me një rënie 16.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe numri i transaksioneve ra ndjeshëm, duke arritur në vetëm 5,857, me një rënie 24.8% në bazë vjetore.
Rënia është e dukshme në të dy instrumentet financiare. Vlera e blerjeve të bonove të thesarit zbriti në 14.9 miliardë lekë (–16.6%), ndërsa investimi në obligacione arriti në 4.4 miliardë lekë (–17%).
Yield-et në rënie, arsyeja kryesore
Ekspertët e lidhin këtë tendencë me rënien e mëtejshme të yield-eve, që ka ulur fitimet e mundshme nga investimet në titujt e borxhit. Ndërsa gjatë vitit 2022 dhe 2023 interesi i lartë financiar nxiti pjesëmarrjen e individëve, nga mesi i vitit 2024 e në vijim, yield-et u stabilizuan në nivele më të ulëta, duke e bërë këtë instrument më pak tërheqës.
Rënia ka prekur edhe tregun dytësor. Gjatë 9-mujorit, individët blenë vetëm 1.26 miliardë lekë tituj nga portofolet e bankave, me një tkurrje prej 68.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pesha e individëve në borxhin e brendshëm po bie
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në fund të shtatorit 2025, individët zotëronin vetëm 18.53% të instrumenteve të borxhit të brendshëm, nga 19.8% që ishte në fund të vitit 2024. Ky tregues përfshin investimet direkte nëpërmjet Bankës së Shqipërisë dhe ato të kryera përmes bankave tregtare apo shoqërive komisionere të licencuara nga AMF.
Ministria e Financave synon të prezantojë obligacione për qytetarët
Për të zgjeruar bazën e investitorëve dhe për të diversifikuar burimet e financimit të borxhit, në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2025–2029, Ministria e Financave po shqyrton mundësinë e prezantimit të obligacioneve qeveritare të dedikuara për individët. Ky instrument do të synojë të nxisë kulturën e kursimit afatgjatë, të përfshijë qytetarët në financimin e borxhit publik dhe të ulë varësinë e shtetit nga tregjet institucionale e burimet e huaja të financimit.
Ndjeshmëria e individëve ndaj normave të interesit
Të dhënat historike tregojnë se investitorët individualë janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj luhatjeve të normave të interesit. Rritja e shpejtë e yield-eve gjatë vitit 2022 solli një bum investimesh në bono dhe obligacione, ndërsa rënia graduale pas vitit 2024 ka ulur ndjeshëm pjesëmarrjen. Kjo tregon një lidhje të drejtpërdrejtë midis politikës monetare dhe sjelljes së investitorëve të vegjël në tregun e brendshëm të borxhit.