6-mujori 2025, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria me çmimet më të larta të energjisë në rajon
Shqipëria renditet ndër vendet me çmimet më të larta të energjisë elektrike për familjet në rajon, pas Maqedonisë së Veriut.
Shqipëria, e dyta në rajon për çmimin e energjisë
Sipas Eurostat, në periudhën janar–qershor 2025, çmimi mesatar i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në Bashkimin Evropian ishte 0.28 euro/kWh. Në Shqipëri, çmimi mesatar arriti në 0.18 euro/kWh, ndërsa në Maqedoninë e Veriut në 0.22 euro/kWh, duke e renditur vendin tonë në pozicionin e dytë më të shtrenjtë në rajon.
Më të ulëta se Shqipëria rezultojnë tarifat në:
-Serbi – 0.17 euro/kWh
-Mali i Zi – 0.17 euro/kWh
-Bosnje dhe Hercegovinë – 0.15 euro/kWh
-Turqi – 0.14 euro/kWh
Struktura e tregut dhe ndikimi në çmime
Çmimet e energjisë në Shqipëri lidhen ngushtë me strukturën e tregut vendas, ku pjesa dërrmuese e energjisë prodhohet nga hidrocentralet publike. Kjo e bën furnizimin më të qëndrueshëm, por edhe të ndjeshëm ndaj kushteve hidrologjike. Për shkak të varësisë nga burimet hidrike, në periudha thatësire kostot e importit ndikojnë në rritjen e çmimit të përgjithshëm për konsumatorët.
Krahasimi me Bashkimin Evropian
Në vendet e BE-së, çmimet më të larta të energjisë janë regjistruar në Çeki (0.39 euro/kWh) dhe Poloni (0.34 euro/kWh), të ndjekura nga Gjermania dhe Italia. Në anën tjetër, çmimet më të ulëta janë shënuar në Islandë (0.12 euro/kWh), Malta (0.13 euro/kWh) dhe Turqi (0.14 euro/kWh).
Vendet me ekonomi të zhvilluara kanë kosto më të larta për shkak të taksave të karbonit, tarifave të rrjetit dhe investimeve në energji të rinovueshme. Për shembull, Portugalia ka një çmim prej 0.28 euro/kWh, Belgjika 0.31 euro/kWh, ndërsa Franca 0.24 euro/kWh, afër mesatares evropiane.
Investimet e reja në energjinë e pastër
Qeveria shqiptare ka ruajtur prej vitesh politiken e mosrritjes së çmimeve për konsumatorët familjarë, ndërsa fokusi është zhvendosur te investimet në energjitë e rinovueshme. Në vend janë shtuar projektet për centrale fotovoltaike dhe HEC-e të vogla, të cilat pritet të përmirësojnë sigurinë energjetike dhe të mbajnë çmimet në nivele të kontrolluara.
Falë prodhimit tërësisht nga burime natyrore — ujë dhe diell — Shqipëria renditet ndër vendet me pjesën më të lartë të energjisë së pastër në rajon dhe mbi mesataren e BE-së për përqindjen e energjisë së gjelbër në konsumin final.