Secondary Adv

Ibrahimaj: Paga minimale dyfishuar, në fillim të 2026 do të arrijë 500 euro

Ministrja Delina Ibrahimaj njofton se paga minimale në Shqipëri do të arrijë në 500 euro në fillim të vitit 2026.

Rritja e pagës minimale dhe ndikimi në ekonomi

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në rubrikën “Ekonomia flet me fakte” u ndal në zhvillimet kryesore ekonomike të vendit, duke iu përgjigjur komenteve dhe shqetësimeve të qytetarëve lidhur me politikat ekonomike të qeverisë. Ajo tha se paga minimale është dyfishuar dhe se në fillim të vitit 2026 do të arrijë në 500 euro.

 

“Le të pranojmë disa gjëra dhe pastaj patjetër flasim për të tjera e të tjera. Paga minimale është dyfishuar dhe, në fillim të vitit që po troket, do të jetë 500 euro, nuk kemi pse të mos e pranojmë këtë,” theksoi Ibrahimaj, duke e cilësuar këtë hap si një nxitje për rritjen e mirëqenies së punonjësve dhe forcimin e fuqisë blerëse.

 

Lehtësira fiskale për bizneset e vogla

Ibrahimaj kujtoi se për pesë vite rresht, bizneset e vogla nuk paguajnë tatimfitimi, një politikë që, sipas saj, ka kursyer rreth 170 milionë euro në vit për familjet shqiptare. “Pse të mos e pranojmë këtë si diçka të mirë për mbi 110 mijë biznese,” u shpreh ajo, duke theksuar se kjo masë ka qenë vendimtare për ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe nxitjen e sipërmarrjes së vogël e të mesme. Ministrja shtoi se politikat fiskale synojnë të mbështesin rritjen e qëndrueshme dhe krijimin e më shumë vendeve të punës.

 

Shqipëria me inflacionin më të ulët në rajon

Ministrja u ndal gjithashtu te inflacioni, duke deklaruar se Shqipëria ka nivelin më të ulët të inflacionit në rajon, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. “Kjo do të thotë se kemi një rritje më të ulët të çmimeve në jetën e përditshme krahasuar me vendet fqinje. Këto janë fakte, dhe me faktet nuk luftohet, por argumentohet,” nënvizoi ajo.


Ibrahimaj theksoi se qëllimi i qeverisë është të ruajë stabilitetin ekonomik dhe të mbështesë shtresat në nevojë përmes politikave të balancuara që garantojnë rritje dhe kontroll të çmimeve.

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat