Paketa e Maleve, Qeveria miraton zonat e zhvillimit në disa bashki
Këshilli i Ministrave shpall zonat prioritare për zhvillim ekonomik, turistik dhe industrial në bashkitë Belsh, Elbasan, Përmet e Skrapar.
Në vijim të zbatimit të “Paketës së Maleve” dhe takimit të zhvilluar mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarëve të bashkive për programin e zhvillimit të zonave malore, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimet e para për shpalljen e disa zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore. Këto vendime synojnë të nxisin aktivitetet ekonomike, industriale dhe turistike në territore që përbëjnë potencial të rëndësishëm natyror e kulturor, duke u dhënë prioritet investimeve dhe infrastrukturës në këto zona.
Bashkia Belsh
Në bashkinë Belsh janë shpallur pesë zona zhvillimi: Zona nr.1 në njësinë administrative Belsh, fshati Qafshkallë, me sipërfaqe 126.4 ha; Zona nr.2 në fshatin Gradishtë me 1.49 ha; Zona nr.3 në fshatin Seferan-Hysë me 68 ha; Zona nr.4 në fshatin Shegas, njësia administrative Rrasë, me 69.8 ha; dhe Zona nr.5 në njësinë administrative Fierzë, fshati Fierzë, me sipërfaqe 143.9 ha. Të gjitha zonat janë përcaktuar sipas hartave të sistemit KRRGJSH të paraqitura mbi ortofoto.
Bashkia Elbasan
Në bashkinë Elbasan janë përcaktuar katër zona zhvillimi: Zona nr.1 në njësinë administrative Funar me sipërfaqe 1 439.89 ha; Zona nr.2 në njësinë administrative Gjinar me 1 047.74 ha; Zona nr.3 në njësinë administrative Tregan me 398.1 ha; dhe Zona nr.4 në njësinë administrative Shushicë me 705.96 ha, sipas hartave treguese të sistemit KRRGJSH.
Bashkia Përmet
Në bashkinë Përmet është shpallur Zona nr.1 në njësinë administrative Çarçovë, që përfshin fshatrat Kanikol dhe Draçovë, me sipërfaqe 2.04 km², sipas sistemit KRRGJSH dhe hartave ortofoto përkatëse.
Bashkia Skrapar
Në bashkinë Skrapar është përcaktuar zona zhvillimore nr.1 Helmës-Staraveckë, në njësinë administrative Potom, me sipërfaqe 258 ha, të paraqitura në hartat e sistemit KRRGJSH.
Aktivitetet e planifikuara në zonat e reja
Në të gjitha këto zona do të zhvillohen aktivitete ekonomike me synim nxitjen e investimeve lokale, përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Po ashtu, janë parashikuar aktivitete industriale që përfshijnë prodhime artizanale, agroindustriale dhe energji të rinovueshme, si dhe aktivitete turistike për promovimin e turizmit malor, ekologjik dhe kulturor në përputhje me potencialet natyrore dhe trashëgiminë lokale.
Për zbatimin e vendimeve janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe bashkitë përkatëse. Vendimet do të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.