Qeveria miraton projektligjin për PPP, përcaktohen sektorët dhe rregullat e reja
Projektligji për koncesionet dhe partneritetin publik privat hap rrugën për bashkëpunime në transport, energji, arsim e shëndetësi.
Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, që përcakton kuadrin ligjor për mënyrën se si shteti dhe sektori privat bashkëpunojnë për realizimin e projekteve me interes publik përmes koncesioneve apo partneriteteve publike-private (PPP). Ky ligj synon të krijojë më shumë mundësi për zhvillimin e infrastrukturës, shërbimeve dhe ekonomisë përmes investimeve të përbashkëta.
Sektoret ku do të aplikohet PPP
Partneritetet publike private mund të aplikohen në sektorë strategjikë si transporti, energjia, uji, menaxhimi i mbetjeve, telekomunikacioni, arsimi, kultura dhe shëndetësia. Këta sektorë përbëjnë fushat me potencialin më të madh për projekte që kërkojnë bashkëfinancim publik e privat, me synim përmirësimin e infrastrukturës dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët.
Përmbajtja dhe objektivat e ligjit
Projektligji përcakton kompetencat e autoriteteve publike për lidhjen e kontratave PPP, procedurat për dhënien, nënshkrimin, ndryshimin ose ndërprerjen e tyre, si dhe mënyrën e ndarjes së risqeve financiare dhe fiskale ndërmjet palëve. Ai përfshin gjithashtu rregullime mbi mbështetjen financiare dhe politikat e koncesioneve për të siguruar menaxhim të drejtë dhe të qëndrueshëm të projekteve.
Përkufizimet kryesore
Sipas ligjit, “Koncesioni” është marrëveshja për ndërtim ose ofrim shërbimesh publike, ku partneri privat shpërblehet me të drejtën e shfrytëzimit të veprës ose me pagesë. “Partneritet publik privat (PPP)” përkufizohet si bashkëpunim i qëndrueshëm ndërmjet shtetit dhe operatorit privat për ofrimin e shërbimeve apo infrastrukturës publike. Ndërkohë, “Risk operacional” është rreziku që i transferohet koncesionarit lidhur me kërkesën, ofertën apo disponueshmërinë e objektit, ndërsa “SPV” (Subjekti për Qëllime të Veçanta) është shoqëri private e krijuar posaçërisht për zbatimin e kontratës PPP.
Parimet dhe garancitë ligjore
Projektligji vendos parime të qarta për zhvillimin e procedurave, duke kërkuar transparencë, trajtim të barabartë, mosdiskriminim, proporcionalitet, efikasitet dhe siguri ligjore. Procedurat duhet të jenë të paanshme dhe të mos favorizojnë asnjë operator ekonomik apo shërbim të caktuar. Po ashtu, autoritetet qendrore dhe vendore ruajnë autonominë për të zgjedhur mënyrën më të përshtatshme për menaxhimin e punimeve dhe shërbimeve publike, duke garantuar cilësi, siguri dhe akses universal. Ligji thekson se partneritetet PPP nuk përfshijnë privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe nuk prekin sistemin e pronësisë publike në Republikën e Shqipërisë.