Hekurudha Rrogozhinë - Pogradec në projektim, përfundon në mars 2027
Projekti i linjës hekurudhore pjesë e Korridorit VIII po financohet nga WBIF dhe pritet të përfundojë fazën e projektimit brenda marsit 2027.
Aksi hekurudhor Rrogozhinë–Pogradec, që përbën një segment të rëndësishëm të Korridorit VIII, është aktualisht në fazën e përgatitjes së projektit të detajuar. Sipas të dhënave të siguruara nga Hekurudha Shqiptare, procesi financohet përmes një granti të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe parashikohet të përfundojë në mars 2027. Ky projekt konsiderohet një nga zhvillimet strategjike për transportin hekurudhor në vend dhe për lidhjen me rrjetet ndërkombëtare.
Faza e financimit dhe bashkëpunimi me institucionet evropiane
Pas përfundimit të asistencës teknike dhe maturimit të projektit, Hekurudha Shqiptare do të vijojë me aplikimin për grantin përfundimtar dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të kredive me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
E njëjta strukturë financimi është ndjekur edhe për segmentin tjetër të Korridorit VIII, Durrës–Rrogozhinë, që ka një gjatësi prej 33.5 km dhe një vlerë totale prej 120.5 milionë euro. Për këtë projekt janë siguruar një grant prej 60.5 milionë euro nga Bashkimi Evropian dhe dy kredi prej 30 milionë euro secila nga BERZH dhe BEI.
Kosto dhe përfitime për segmentin Rrogozhinë–Pogradec
Segmenti Rrogozhinë–Pogradec pritet të jetë më i kushtueshëm për shkak të gjatësisë së tij prej 120.3 km dhe kompleksitetit të terrenit. Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor ka theksuar se ndërtimi dhe rehabilitimi i kësaj linje do të sjellë përfitime të shumta, si shkurtimi i distancave të udhëtimit, rritja e sigurisë, si dhe reduktimi i emetimeve ndotëse në ajër që vijnë nga transporti rrugor. Linja synon të forcojë lidhjet tregtare dhe turistike me vendet fqinje dhe të rrisë efikasitetin e transportit ndërurban.