Keydata: Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë trefishuar në 20 vjet
Indeksi i “Keydata” tregon se çmimi mesatar i apartamenteve në Tiranë ka shënuar rritje mbi 230 për qind që prej vitit 2005.
Çmimet e shitjes së apartamenteve në Tiranë janë trefishuar gjatë 20 viteve të fundit, sipas të dhënave të indeksit të çmimit të shitjes së publikuar nga “Keydata”.
Që prej vitit 2005, kur indeksi u llogarit në nivelin bazë 100, deri në tremujorin e dytë të vitit 2025, vlera e tij ka arritur 334.61 pikë, duke shënuar një rritje prej mbi 230 për qind dhe nivelin më të lartë historik. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit, çmimet u rritën me 23.03 për qind, ndërsa ndaj të njëjtës periudhë të 2024-s, rritja ishte 16.5 për qind. Të dhënat tregojnë se përshpejtimi i rritjes ka ndodhur pas pandemisë së Covid-19.
Rritja e ndjeshme pas pandemisë
Në fund të vitit 2023, indeksi i “Keydata” ishte 251.16 pikë, ndërsa në fillim të 2024-s kaloi mbi 276 pikë, me një rritje vjetore prej 33.2 për qind, një nga më të lartat në tregun e pasurive të paluajtshme. Deri në qershor 2025, çmimi mesatar për një metër katror apartament në Tiranë arriti 1,830 euro, i llogaritur kryesisht mbi bazën e apartamenteve ekzistuese. Kjo tregon se në harkun e 20 viteve çmimi mesatar është trefishuar krahasuar me vitin 2005.
Rritje e lartë edhe në krahasim me Europën
Raporti “Për indeksin e pasurive të paluajtshme 2025” i hartuar nga kompania ndërkombëtare “Deloitte” renditi Shqipërinë ndër vendet me rritjen më të lartë të çmimeve të banesave në Europë gjatë vitit 2024. Sipas raportit, çmimi mesatar i shitjeve arriti 1,620 euro për metër katror, me një rritje prej 17 për qind krahasuar me një vit më parë. Shqipëria u pozicionua e dyta pas Polonisë, ku rritja e çmimeve arriti 19.3 për qind, e nxitur nga politikat subvencionuese për strehim.
Të dhënat e “Deloitte” tregojnë se në Tiranë çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve ka arritur 2,000 euro për metër katror, ndërsa në zonat qendrore si ish-Blloku dhe sheshi “Skënderbej” çmimet variojnë nga 3,000 deri në 3,500 euro për metër katror.