Banka Botërore: Rritja ekonomike nuk ka sjellë punësim të mjaftueshëm
Banka Botërore vlerëson se, ndonëse ekonomia shqiptare është rritur ndjeshëm, ritmi i punësimit mbetet i ulët dhe i pabarabartë.
Rritje ekonomike pa punësim të mjaftueshëm
Ekonomia e Shqipërisë është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë dy dekadave të fundit, por kjo rritje nuk ka prodhuar punësimin e duhur, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore për rishikimin ekonomik të vjeshtës në rajonin ECA, që përfshin 31 vende të Europës Lindore, Ballkanit, Kaukazit dhe Azisë Qendrore.
Të dhënat tregojnë se midis viteve 2000 dhe 2023, ekonomia shqiptare është zgjeruar mesatarisht me 3%–4% në vit, ndërsa punësimi është rritur me vetëm 0.8%–1% në vit. Për çdo 1 për qind rritje ekonomike, punësimi është zgjeruar mesatarisht 0.15–0.2%, ndjeshëm më pak se në vende si Turqia, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut, ku rritja ka gjeneruar më shumë vende pune.
Struktura e rritjes dhe punësimit
Sipas Bankës Botërore, ekonomia shqiptare ka gjeneruar punësim, por me intensitet modest krahasuar me vendet e tjera të rajonit, pasi rritja është përqendruar në sektorë me produktivitet të ulët ose me nivel të lartë informaliteti. Kjo ka kufizuar potencialin për krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës.
Përmirësimi i lidhjes midis rritjes dhe punësimit kërkon zhvendosje drejt sektorëve më produktivë dhe politika që nxisin punësimin formal në ekonomi. Lidhja e dobët mes punësimit dhe rritjes ekonomike tregon se rritja ka qenë jo e barabartë, pasi është përqendruar në sektorë që nuk kanë nevojë për shumë punonjës, si ndërtimi dhe tregtia, ndërsa rritja e punësimit informal e ka deformuar pasqyrën reale të tregut të punës.
Ndryshimet në strukturën ekonomike
Banka thekson se ekonomia shqiptare po rritet, por jo mjaftueshëm për të punësuar më shumë njerëz. Për të përmirësuar situatën, rekomandohet që rritja të vijë nga sektorë që krijojnë më shumë vende pune, si prodhimi, shërbimet profesionale, teknologjia dhe industria përpunuese. Në dy vitet e fundit, struktura e punësimit është zhvendosur nga prodhimi drejt tregtisë dhe shërbimeve.
Forcimi i Lekut dhe rënia e kërkesës së jashtme kanë çuar në tkurrje të sektorit të industrisë për të tretin vit radhazi, duke bërë që shumë fabrika të vogla dhe të mesme të falimentojnë, ndërsa ato të mëdhatë nuk po zgjerohen me punonjës. Ndërkohë, shumë punonjës të bujqësisë janë zhvendosur drejt ndërtimit dhe shërbimeve, sektorë që kanë pasur kërkesë më të lartë për fuqi punëtore.