Secondary Adv

Efekti i sezonit veror, depozitat u shtuan me 61 miliardë lekë për tremujorin e tretë

Depozitat bankare në Shqipëri shënuan një rritje të fortë gjatë tremujorit të tretë të vitit, të ndikuara nga sezoni veror dhe prurjet e larta nga turizmi.

Rritje e fortë në shtator

Depozitat u rritën më tej në muajin shtator. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat e përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë në fund të muajit arritën vlerën e 1.45 trilionë lekëve, me një zgjerim prej gati 13 miliardë lekësh krahasuar me gushtin.

 

Rritje vjetore me 8.8%

Në raport me një vit më parë, depozitat janë rritur me 8.8%, duke reflektuar një ecuri të qëndrueshme të kursimeve. Rritja ka ardhur kryesisht në monedhën vendase, ku depozitat në lekë janë zgjeruar me 15%, ndërsa ato në valutë të huaj vetëm me 3.7%.

 

Efekti i sezonit turistik

Tremujori i tretë është tradicionalisht periudha me rritjen më të madhe të depozitave për shkak të prurjeve nga turizmi dhe remitancave. Vetëm në këtë tremujor, depozitat bankare u rritën me 61 miliardë lekë, që përfaqëson më shumë se gjysmën e rritjes vjetore totale prej 116 miliardë lekësh.

 

Bizneset shtyjnë rritjen në lekë

Rritja e depozitave në lekë po mbështetet kryesisht nga segmenti i bizneseve, të cilat kanë rritur kursimet e tyre me rreth 20% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, depozitat e individëve kanë shënuar gjithashtu një rritje të fortë prej 13.5%.

 

Depozitat në valutë rikuperohen

Depozitat në valutë vazhdojnë të ndikohen nga kursi i këmbimit, por efekti i tij është zbutur këtë vit. Kursi Euro–Lek ka rënë me rreth 2% në raport me një vit më parë. Megjithatë, gjatë verës depozitat në valutë u zgjeruan me 4.8%, ose rreth 35 miliardë lekë.

 

Rekord historik për depozitat në euro

Depozitat në euro arritën në fund të shtatorit 8.63 miliardë euro, duke prekur nivelin më të lartë historik. Me bazë vjetore, rritja e tyre është 7.1%, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë – 6.2%. Rritja mbështetet kryesisht nga kursimet e individëve, që janë zgjeruar me 9.8% brenda një viti.

 

Likuiditet i lartë në tregun financiar

Rritja e depozitave po ndihmon në ruajtjen e likuiditetit të lartë në sistemin financiar. Kredia për sektorin privat po shënon rritje dyshifrore, ndërsa tregu i titujve qeveritarë mbetet me yield-e të ulëta dhe marzhe minimale mbi normën bazë të interesit.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat