Bashkitë realizuan vetëm 22 për qind të investimeve në 8 mujor, rrezikojnë fondet
Vetëm 22 për qind e buxhetit të investimeve është realizuar nga bashkitë, duke vënë në rrezik përdorimin e plotë të fondeve deri në fund të vitit.

Realizohen vetëm 22% e investimeve
Shqipëria dhe zonat rurale përballen ende me mungesë të theksuar infrastrukture, ku shumë njësi administrative mbeten pa rrugë të asfaltuara, me rrjete të dobëta energjie dhe me furnizim të kufizuar me ujë. Megjithë këto nevoja të mëdha, pushteti vendor nuk ka arritur të realizojë as fondet e kufizuara që ka në dispozicion për investime. Ministria e Financave raportoi se në fund të tetëmujorit të parë të vitit, 61 bashkitë e vendit kishin realizuar vetëm 21.8% të planit të investimeve. Nga 49.8 miliardë lekë të planifikuara për vitin 2025, janë shpenzuar vetëm 10.8 miliardë lekë gjatë periudhës janar–gusht, katër muaj para mbylljes së vitit fiskal.
Bashkia e Tiranës me nivelin më të ulët të realizimit
Bashkia e Tiranës ka regjistruar ecurinë më të dobët të realizimit, pjesërisht për shkak të madhësisë së buxhetit. Nga 19.9 miliardë lekë të planifikuara për investime – që përbëjnë 40% të totalit kombëtar – janë shpenzuar vetëm 16.6% deri në fund të tetëmujorit. Ky nivel i ulët tregon problemet strukturore të pushtetit vendor dhe bllokimin e fondeve të destinuara për projekte si rrugët lokale, ujësjellësit, ndriçimin publik dhe nismat mjedisore.
Durrësi dhe bashkitë e tjera me vonesa në investime
Bashkia e Durrësit ka shënuar gjithashtu realizim të ulët, ndonëse përballet me kërkesë të lartë për përmirësimin e infrastrukturës për shkak të zhvillimit të turizmit. Nga buxheti prej 3.7 miliardë lekësh për investime, deri në fund të gushtit ishin shpenzuar vetëm 924 milionë lekë, ose rreth 25% e planit vjetor. Në rang kombëtar, projektet më të mëdha gjatë këtij 8-mujori ishin ndërtimi i terminalit verior të transportit në Tiranë me 324 milionë lekë (3.2 milionë euro) dhe rindërtimi i banesave individuale në kryeqytet me 278 milionë lekë (2.7 milionë euro).
Kukësi me performancën më të mirë, Vlora më e dobëta
Ndër bashkitë me qendër qarku, Kukësi ka arritur realizimin më të lartë, me 80% të planit vjetor, ndërsa Vlora shënon rezultatin më të dobët me vetëm 10%. Kjo pabarazi tregon se shumë bashki nuk po arrijnë të përthithin fondet e akorduara, duke rrezikuar humbjen e tyre.
Fonde të pashfrytëzuara dhe rrezik “djegieje”
Përvoja e viteve të kaluara tregon se bashkitë përqendrojnë zbatimin e projekteve në muajt e fundit të vitit, çka rrit rrezikun për përdorim joefikas të fondeve. Edhe pse zakonisht ka një nxitim për të shpenzuar buxhetin në fund të vitit, më shumë se gjysma e fondeve mbeten të pashfrytëzuara. Vitin e kaluar, plani i investimeve u realizua vetëm 43%. Nëse trendi i këtij viti vazhdon, disa bashki pritet të kenë realizim nën 20% të planit, duke ndikuar negativisht në ekonominë lokale dhe në cilësinë e shërbimeve për komunitetet.
Burimi: Monitor.al
Më të lexuarat






