Problematika e investimeve, realizohen vetem 65 per qind
Nëse problemi kryesor për buxhetin e shtetit është mungesa e të ardhurave, nuk mund të lihet pas shqetësimi për mënyrën sesi po shpenzohen paratë. Sipas të dhënave të publikuara të treguesve fiskalë, shpenzimet publike nuk janë realizuar në masën e planifikuar për 10 mujorin.
Por ajo që është mjaft e ndjeshme për qytetarët dhe vete ekonominë e vendit janë fondet e parashikuara për investime publike. Kështu referuar këtyre të dhënave, vihet re se shpenzimet kapitale në raport me planin vjetor janë realizuar në masën 65 %, por duke paraqitur në këtë mënyrë një rritje krahasuar me një muaj më parë.Në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për 10-mujorin e vitit 2016, është konstatuar një realizim në masën 17.2 miliardë lekë, i atyre me financim të huaj të planifikuara për këtë periudhë, ndërkohë që realizimi i investimeve me financim të brendshëm paraqitet në nivele më të larta, përkatësisht 38.6 miliardë lekë.
Sipas analizës së ekspertëve të financave, në përgjithësi ekziston një trend pothuajse i njëjtë realizimi i këtyre shpenzimeve nga të gjitha ministritë e linjës, kjo dhe si një efekt vonesave proceduriale dhe procesit të shtrirjes së mëvonshme të likujdimit të shpenzimeve për investime.Gjithashtu vlen të theksohet fakti që ky trend është i zakonshëm për këtë periudhë buxhetore, si shkak i paraqitjes me vonesë të situacioneve të punimeve për t’u paguar dhe vonesës në disbursim. Në këtë mënyrë pritet që disbursimet për realizimin e projekteve si me financim të huaj ashtu edhe me financim të brendshëm të rriten në muajt në vazhdim.