Secondary Adv

Propozohen ndryshime në ligjin për nëpunësin civil, riformatim pagash dhe rekrutime nga jashtë

Këshilli i Ministrave ka njoftuar se ministrja Adea Pirdeni ka hapur për konsultim publik projektligjin për ndryshimet në Ligjin “Për Nëpunësin Civil”.

Këshilli i Ministrave ka njoftuar se Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni  ka publikuar për konsultim publik projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.152/2013, “Për Nëpunësin Civil”, të ndryshuar.

 

Si  pjesë e propozimeve për ndryshim në ligjin aktual është përmirësimi i modelit të Shërbimit Civil në Shqipëri, duke rritur efikasitetin e procesit të pranimit dhe procedurave menaxheriale për shërbimin civil, me qëllim krijimin e kushteve për tërheqjen e sa më shumë profesionistëve të kualifikuar nga jashtë Shërbimit  Civil. Propozohet për më shumë transparencë, fleksibilitet dhe siguri të shtuar në rekrutim dhe trajtimin e nëpunësve të nivelit të lartë.

 

Sipas ndryshimeve të propozuara do të rritet kufiri për kandidatët që mund të rekrutohen nga jashtë, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda administratës publike brenda një viti.

 

Do të ketë një strukturë të riformatuar pagash që inkurajon performancën dhe rrit motivimin e punonjësve.

 

Sipas njoftimit të Këshillit të Ministrave ndryshimet ligjore synojnë krijimin e një administratë profesionale dhe e mbështetur në merita qëndron në bazën e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe forcimi i saj synohet të arrihet edhe nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore të propozuara.

 

Projektligji është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e Programit “BE për Mirëqeverisjen” dhe ekspertët e OECD/SIGMA, në bashkëpunim me ministritë, institucionet e pavarura dhe prej datës 31 tetor 2025 do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik me të gjitha grupet e interesit.

 

Ndërhyrjet kryesore në legjislacion adresojnë dhe zgjidhin një sërë aspektesh të forcimit të funksionimit të shërbimit civil në praktikë si më poshtë:

 

1.Standard unik rekrutimi për të gjithë administratën publike:

 

-Rekrutimi me bazë merite shtrihet në të gjitha institucionet publike që janë ose jo pjesë e shërbimit civil.

-Procesi administrohet nga një Komision Kombëtar i Atestimit me përfaqësim nga qeveria, institucionet e pavarura dhe qeverisja vendore.

 

2.Model i ri i përmirësuar për pranimin në nivelin hyrës zhvillohet me dy faza:

 

-Testim kombëtar i uniformizuar, i zhvilluar nga DAP për të gjithë kandidatët e interesuar;

-Konkurs specifik për pozicionin, i zhvilluar nga institucioni që ka vendin vakant, nën mbikëqyrjen e DAP.

 

3.Ristrukturim i modelit të rekrutimit për nëpunësit e nivelit të lartë drejtues

 

-Transparencë, fleksibilitet dhe siguri e shtuar në rekrutim dhe trajtimin e nëpunësve të nivelit të lartë;

-Shpallje e pozicioneve individualisht për çdo vakancë;

-Sekretarët e Përgjithshëm dhe titullarët e institucioneve do të kenë mandate 5-vjeçare të rinovueshme;

-Kufizohen ndërhyrjet diskrecionare në përzgjedhje.

 

4.Sistem më i hapur dhe më fleksibël karriere për më shumë ekspertizë të re dhe më të madh profesional

 

-Qarkullim më i madh midis profesionistëve mes sektorit publik dhe atij privat;

-Rritje e kufirit për kandidatët që mund të rekrutohen nga jashtë, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda administratës publike brenda një viti;

-Mundësi e shtuar për rikthimin në shërbimin civil pas eksperiencave jashtë tij.

 

5.Strukturë e riformatuar pagash që inkurajon performancën dhe rrit motivimin:

 

-Hiqet avancimi automatik në shkallët e pagës;

-Parashikohet bonus vjetor për performancë të lartë, për një përqindje të kufizuar punonjësish;

-Sistem i ri vlerësimi performance me 5 nivele nga 4 nivele që parashikohet aktualisht. /Monitor(https://monitor.al/propozohen-ndryshime-ne-ligjin-per-nepunesin-civil-riformatim-pagash-dhe-rekrutime-nga-jashte/)


Më të lexuarat