Zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki, KQZ publikon fletën e votimit dhe renditjen e kandidatëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar fletën e votimit dhe renditjen e kandidatëve për Kryetar Bashkie në bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar fletën e votimit dhe renditjen e kandidatëve për Kryetar Bashkie në bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë. Zgjedhjet e pjesshme do të mbahen më 9 Nëntor.
Beteja në Vlorë është mes 3 rivalëve: Bruna Mersinit të pavarurit të mbështetur nga opozita, Dionis Sota i cili ka një profil në sipërmarrjen turistike dhe Gjergj Nikës demokratit i cili fitoi në Kolegj Zgjedhor të drejtën për garuar si kandidat i pavarur, pasi KQZ dhe KAS e përjashtuan nga gara.
Në Tepelenë ish kreu i Gardës Gramoz Sakos është përballë kandidatit të pavarur të mbështetur nga Partia Demokratike Gabriel Gumës.
Në Berat, nënkryetari Ervin Ceca që drejton bashkinë prej ditës që Ervin Demo u dorëhoq për t’u bërë deputet, garon nën logon e socialistëve për tu zgjedhur kryetar. Përballë ka biznesmenin Pavlo Shkarpa, i cili garon si pavarur dhe mbështetet nga korpusi opozitar.
Florenc Doka i PS, aktualisht kryetar i komanduar i Cërrikut garon përballë dy emrave nga opozita. Mjeku Amarildo Hoxha garon i pavarur dhe mbështetet nga PD, ndërsa kriminologu i kthyer nga Italia, Eligert Hima garon nën logon e Shqipëria Bëhet.
Në Mat demokratët mbështesin si kandidat të pavarur avokatin Eduart Brahilika, ndërsa socialistët në këtë bashki, janë të ndarë. Kandidati zyrtar i tyre është Altin Bojni, i cili drejton aktualisht bashkinë, ndërsa Suzana Pasha, që drejtonte forumin e gruas socialiste në Mat, e zemëruar me partinë, kandidon si e pavarur.