Sejko: Mungesa e fuqisë punëtore rriti pagat me 9.5 për qind në sektorin privat në 6-mujorin e parë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot në Kuvend se ecuria pozitive e ekonomisë dhe e tregjeve financiare shqiptare gjatë vitit 2024 dhe gjysmës së parë të vitit 2025 u pasqyrua edhe në sektorin bankar.
Sejko u shpreh se sektori bankar njohu rritje, nxitur nga rritja e shpejtë e kreditimit dhe zgjerimi i bazës së depozitave, si dhe përmirësim të treguesve të shëndetit financiar.
Guvernatori vuri në dukje se cilësia e kredisë vijoi të përmirësohet dhe treguesi i kredive me probleme zbriti në 4.0%, duke shënuar nivelet më të ulëta që prej vitit 2008. “Analizat tona periodike sugjerojnë nivele të kontrolluara të rreziqeve sistemike dhe testet e rezistencës së sistemit bankar tregojnë një aftësi të mirë përballimi të goditjeve të mundshme makrofinanciare”, shtoi Sejko.
Po ashtu, Sejko theksoi se sistemi bankar ka përmirësuar treguesit e qëndrueshmërisë dhe ka konsoliduar rolin e tij ndërmjetësues.
“Këto zhvillime kanë rritur aftësinë e sistemit bankar për të furnizuar ekonominë me fonde të qëndrueshme dhe me kosto të ulëta, si dhe kanë ndihmuar në zgjerimin e përdorimit të instrumenteve moderne të pagesave”, shtoi ai.
Ndërkohë Sejko theksoi se rritja e kërkesës për punë nga bizneset dhe mungesa e fuqisë punëtore, kanë sjellë rritjen e pagave në sektorin privat, me një mesatare vjetore prej 8.6% për vitin 2024 dhe 9.5% për gjashtëmujorin e parë 2025. /ekofin.al