Secondary Adv

Masat kufizuese nuk e frenuan rritjen e kredisë për shtëpi në tremujorin e parë të aplikimit

Gjatë tremujorit të tretë, huatë për blerje banesash u rritën me 16 për qind, duke arritur një rekord të ri, megjithë kufizimet e reja për kreditimin.

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se tregu i kredisë për banesa ka ruajtur ritme të forta rritjeje, edhe pas hyrjes në fuqi të masave kufizuese të miratuara nga banka qendrore. Vetëm në tremujorin e tretë të vitit, sektori bankar ka dhënë rreth 13.8 miliardë lekë kredi të re për blerjen e banesave, një rritje prej 16 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

 

Rekord i ri për kredinë e banesave

Gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, vlera totale e kredive për blerje banesash ka arritur 50 miliardë lekë, me një rritje prej 27 për qind krahasuar me një vit më parë. Portofoli aktiv i kredisë për individë në fund të shtatorit u zgjerua në 236 miliardë lekë, pothuajse 18 për qind më shumë se në shtatorin 2024. Ky trend tregon se kërkesa për financim për blerje banesash mbetet e lartë dhe është faktori kryesor që po udhëheq rritjen e kreditimit në ekonomi.

 

Masat kufizuese të reja dhe kriteret e rrezikut

Që prej 1 korrikut, bankat janë të detyruara të respektojnë kufijtë e rinj për administrimin e rrezikut, përmes dy treguesve kryesorë: “Raporti i kredisë ndaj vlerës” dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave”. Për kreditë në lekë, raporti maksimal i kredisë ndaj vlerës është 85 për qind për shtëpinë e parë dhe 80 për qind për të dytën, ndërsa në valutë të huaj 75 për qind për shtëpinë e parë dhe 70 për të dytën. Për raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, kufijtë janë 40 për qind dhe 35 për qind për kreditë në lekë, dhe përkatësisht 35 për qind dhe 30 për qind për kreditë në valutë të huaj.

 

Qëllimi i masave dhe ndikimi në treg

Sipas Bankës së Shqipërisë, zbatimi i këtyre kufijve synon të ulë rrezikun e mospagimit nga huamarrësit dhe të kufizojë humbjet e bankave në rast të zhvillimeve të pafavorshme në tregun e pasurive të paluajtshme apo në kushtet makroekonomike. Megjithëse pjesa më e madhe e bankave ka aplikuar historikisht politika të kujdesshme kreditimi, vitet e fundit është vërejtur një rritje e rasteve ku kreditë janë dhënë përtej kufijve të rekomanduar, çka e bëri të nevojshme ndërhyrjen rregullatore.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat