Secondary Adv

BSH përgatit rishikimin e plotë të rregullave për administrimin e rrezikut të kredisë

Banka e Shqipërisë po harmonizon kuadrin rregullator me standardet ndërkombëtare IFRS, për të unifikuar raportimin dhe për të rritur efikasitetin mbikëqyrës.

Banka e Shqipërisë ka nisur përgatitjet për rishikimin e plotë të kuadrit të administrimit të rrezikut të kredisë në sistemin bankar, me synim përafrimin me standardet më të fundit ndërkombëtare dhe praktikat e institucioneve mbikëqyrëse europiane.

 

Në raportimin para Kuvendit, Guvernatori Gent Sejko deklaroi se ndryshimet janë pjesë e procesit të përshtatjes së raportimit financiar për qëllime mbikëqyrjeje, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS).

 

Ndryshimet kryesore në mënyrën e vlerësimit të kredive

Rishikimi i kuadrit do të fokusohet kryesisht në mënyrën e llogaritjes së provigjioneve apo fondeve rezervë për humbjet nga kreditë. Aktualisht, sistemi rregullator i Bankës së Shqipërisë bazohet në vonesat kohore në shlyerjen e kredive për të përcaktuar nivelin e riskut dhe provigjioneve përkatëse.

 

Ndërkohë, sipas standardeve IFRS, klasifikimi dhe vlerësimi i kredive bazohen mbi analizën e gjendjes financiare të huamarrësit dhe aftësinë e tij të pritshme për shlyerje. Ky model lejon gjithashtu përfshirjen e kolateralit në përllogaritjen e humbjes së pritshme, çka zakonisht çon në shpenzime më të ulëta për provigjione.

 

Raportim unik sipas standardeve ndërkombëtare

Sipas Bankës së Shqipërisë, drafti i rregullores së re pritet të përfundojë brenda vitit 2025. Që prej shumë vitesh, sektori bankar shqiptar ka funksionuar me një sistem raportimi të dyfishtë: një për qëllime të raportimit financiar publik dhe tatimor sipas standardeve IFRS, dhe një tjetër për qëllime mbikëqyrjeje sipas standardeve lokale të Bankës së Shqipërisë.

 

Bankat tregtare, përmes Shoqatës së Bankave, kanë kërkuar vazhdimisht unifikimin e raportimit në një sistem të vetëm, në përputhje me standardin ndërkombëtar ligjor IFRS, për të shmangur kostot dhe komplikimet e raportimit paralel.

 

Një sistem më fleksibël dhe më i përafruar me BE-në

Shqipëria mbetet ndër vendet e pakta në Europë që aplikon ende një standard lokal mbikëqyrës për sektorin bankar. Standardet aktuale të Bankës së Shqipërisë janë më konservatore, veçanërisht në klasifikimin e kredive me probleme, në përllogaritjen e provigjioneve dhe në njohjen e teknikave për zbutjen e riskut.

 

Kjo qasje ka bërë që fitimet e raportuara sipas standardeve lokale të jenë zakonisht më të ulëta se ato sipas IFRS-ve. Megjithatë, parametrat rregullatorë dhe treguesit e mjaftueshmërisë së kapitalit vijojnë të mbeten të bazuar në standardin lokal, duke ndikuar edhe në shpërndarjen e dividentëve për aksionarët.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat