Indeksi i Numbeo-s: Nga 15.3 vite për të blerë vjet një shtëpi në Tiranë duhen 18 vite në 2025
Sipas indeksit të Numbeo-s, në vitin 2025 nevojiten 18 vite për të blerë një apartament në Tiranë, nga 15.3 vite një vit më parë, duke e renditur kryeqytetin ndër më të papërballueshmit në Europë.

Tirana vijon të qëndrojë ndër qytetet më të shtrenjta të Europës për përballueshmërinë e blerjes së një prone, për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të apartamenteve dhe nivelit të ulët të të ardhurave.
Të dhënat e fundit nga platforma ndërkombëtare Numbeo tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, për të blerë një apartament në kryeqytet nevojiten mesatarisht 18 vite punë, kundrejt 15.3 viteve që duheshin në vitin 2024. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për Tiranën, duke e pozicionuar në vendin e 37-të në rang botëror.
Tirana tejkalon Milanon në renditjen e përballueshmërisë
Ndër qytetet europiane, më të shtrenjtat për blerjen e një prone mbeten Lisbona me 19.8 vite, Londra me 19.2 vite, Spliti dhe Tirana me 18 vite, të ndjekura nga Beogradi me 16.6 vite dhe Parisi me 15.3 vite. Për herë të parë, Tirana tejkalon Milanon, ku duhen 16 vite për të blerë një apartament, ndërsa vetëm dy vite më parë raporti ishte më i favorshëm për Shqipërinë. Krahasuar me vitin 2023, kur Tirana kishte nevojë për 17.5 vite, rritja aktuale përfaqëson një përkeqësim të dukshëm të aksesit në strehim.
Treguesit krahasues dhe tendencat europiane
Në renditjen globale të Numbeo-s, qyteti më i shtrenjtë në botë për të blerë një banesë mbetet Xiamen në Kinë, me 40.1 vite. Në Europë, Lisbona ruan pozicionin e parë me 19.8 vite, e ndjekur nga Parisi, Spliti dhe Milano. Krahasimi ndër vite tregon se, ndonëse disa qytete europiane kanë shënuar përmirësim falë rritjes së të ardhurave, Tirana vijon të përkeqësohet për shkak të çmimeve të pandalshme të tregut të pasurive të paluajtshme.
Analiza e “Monitor” dhe “Deloitte”: 19 paga vjetore për një apartament
Sipas një analize të “Monitor”, e bazuar në metodologjinë e “Deloitte”, për të blerë një apartament 70 metra katror në Tiranë nevojiten rreth 19 paga mesatare vjetore bruto. Krahasuar me qytetet europiane, përballueshmëria në Tiranë është dukshëm më e ulët. Për shembull, në Amsterdam duhen 15.4 paga vjetore, në Athinë 15.3, në Pragë 15, ndërsa në Londër e brendshme 10.8. Qytetet më të përballueshme në Europë sipas këtij treguesi janë Odense në Danimarkë dhe Torino në Itali, ku duhen vetëm 4.9 paga mesatare për të blerë një apartament.
Çmimet e larta dhe të ardhurat e ulëta ndikojnë përballueshmërinë
Raporti i “Deloitte” thekson se përballueshmëria e strehimit ndikohet jo vetëm nga çmimet e pasurive, por edhe nga niveli i të ardhurave lokale. Edhe pse disa qytete europiane kanë çmime më të larta, rritja e pagave ka përmirësuar aksesin në strehim. Në Shqipëri, mungesa e balancës midis të ardhurave dhe inflacionit të kostos së banesave mbetet faktori kryesor që kufizon mundësinë e blerjes së një prone, sidomos për shtresat e mesme dhe të reja.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






