Secondary Adv

Menaxhimi i mbetjeve, pas inceneratorëve Fier e Elbasan, plane për landfill-e të reja 15.4 mln euro

Pas projekteve të inceneratorëve, qeveria nis planin për ndërtimin e infrastrukturës së re të menaxhimit të mbetjeve në Fier dhe Elbasan, në përputhje me standardet e BE-së.

Qeveria shqiptare po përgatit ndërhyrje të reja në sektorin e menaxhimit të integruar të mbetjeve, me fokus në zonat e Fierit dhe Elbasanit — dy rajone që më herët ishin pjesë e projekteve të inceneratorëve. Sipas një procedure të re prokurimi të hapur nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, do të hartohen projektet për ndërtimin e landfilleve dhe impianteve të riciklimit me një fond total prej 66 milionë lekësh (rreth 660 mijë euro) për fazën e projektimit.

 

Landfilli dhe impiantet e Fierit

Referuar dokumenteve të tenderit, projekti për zonën e Fierit parashikon zgjerimin e landfillit rajonal ekzistues, ndërtimin e impianteve për mbetje inerte dhe të riciklueshme, kapsulimin e landfilleve të vjetra, si dhe krijimin e një impianti për rekuperimin e materialeve (MRF). Gjithashtu, do të ndërtohet një njësi e posaçme për menaxhimin e mbetjeve industriale dhe të rrezikshme. Kostoja e vlerësuar e ndërtimit për këtë projekt është rreth 7.4 milionë euro, ndërsa synimi është përmbushja e standardeve të BE-së në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve.

 

Projekti i Elbasanit me kosto më të lartë

Për zonën e Elbasanit, termat e referencës parashikojnë një strukturë të ngjashme ndërhyrjesh, por me një kosto më të lartë. Vlera e ndërtimit, sipas përllogaritjeve paraprake, arrin në 8.01 milionë euro pa TVSH, ndërsa me TVSH shkon në rreth 942 milionë lekë. Dokumentet sqarojnë se llogaritjet aktuale përfshijnë vetëm punimet civile dhe shërbimet teknike, pa përfshirë pajisjet dhe makineritë, ndërsa projektet do t’i nënshtrohen oponencës teknike përfundimtare përpara miratimit.

 

Drejt një sistemi të integruar të menaxhimit të mbetjeve

Projektet e reja vijnë pas një dekade me politika të paqëndrueshme në sektorin e mbetjeve, ku u dominuan nga kontratat e inceneratorëve. Qeveria synon tashmë të zhvillojë një sistem më të balancuar, ku landfillet dhe incenerimi të funksionojnë në mënyrë plotësuese, duke dërguar në incenerim vetëm mbetjet e pariciklueshme dhe duke reduktuar volumin e depozitimit në landfill. Sipas autoriteteve, këto projekte pritet të sjellin përmirësim të infrastrukturës rajonale, ulje të ndotjes dhe rritje të efikasitetit në përpunimin e mbetjeve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat