Secondary Adv

Bllokohen disa ndërtime pa leje në Farkë, Koçiu: Qytetarët të mos blejnë prona pa dokumenta pronësie

Operacioni kombëtar për vendosjen e ligjshmërisë në territor u shtri në zonën e Farkës, ku u bllokuan disa ndërtime pa leje; ministrja Koçiu paralajmëron masa penale dhe administrative ndaj shkelësve.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, Kryeinspektoren e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, Nënkryetarin e Bashkisë Tiranë, Blendi Sulaj dhe përfaqësues të IMT-së, inspektuan në Farkë aksionin për bllokimin e disa ndërtimeve që janë kryer në shkelje të lejeve ndërtimore. Operacioni është pjesë e planit kombëtar për vendosjen e ligjshmërisë në territor, që synon ndëshkimin e ndërtuesve, mbikëqyrësve dhe zyrtarëve që kanë abuzuar me lejet ndërtimore për përfitime private.

 

Aksioni për zbatimin e ligjit dhe kontrollin e territorit

Pas inspektimeve në terren dhe monitorimit me dron, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me IKMT-në dhe IMT-në, konstatoi një sërë shkeljesh të rënda që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. “Ky është një aksion që ka nisur në të gjithë territorin e Farkës dhe synon garantimin e ligjshmërisë në ndërtimet që janë duke u zhvilluar,” deklaroi ministrja Koçiu. Ajo shtoi se operacioni është pjesë e një procesi më të gjerë për lirimin e hapësirave publike dhe do të pasohet nga një aksion kombëtar kundër ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin.

 

Thirrje qytetarëve dhe ndërtuesve për respektimin e ligjit

Ministrja Koçiu i bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë blerjes së pronave dhe të verifikojnë statusin ligjor të tyre përpara nënshkrimit të çdo kontrate. “Qytetarët duhet të shmangin blerjen e pronave pa dokumentacion të plotë dhe të njoftojnë autoritetet për çdo abuzim. Ky aksion do të vazhdojë deri në garantimin e plotë të ligjshmërisë në territor,” theksoi ajo. Sipas saj, paketa e re ligjore, e hyrë në fuqi në tetor, ka forcuar ndjeshëm mekanizmat e kontrollit dhe sanksionet për shkelësit e lejeve ndërtimore.

 

Asnjë tolerim për ndërtimet jashtë lejes

“Askush që del përtej lejes së ndërtimit nuk do të lejohet të përfitojë asnjë metër katror më shumë se ajo që është miratuar,” paralajmëroi ministrja. Drejtori i Policisë, Ilir Proda, konfirmoi se ndaj personave përgjegjës, përfshirë zyrtarët publikë, do të merren masa ligjore. “Policia do të procedojë çdo rast abuzimi dhe do të mbështesë sigurinë e inspektorëve në terren,” u shpreh ai.

 

Bashkia e Tiranës dhe IKMT: Kujdes në zbatimin e lejeve

Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sulaj, deklaroi se rastet e abuzimeve me lejet ndërtimore janë të shumta në zonat e Farkës dhe Lundrës dhe se bashkia po bashkëpunon me institucionet qendrore për t’i ndaluar ato. Kryeinspektorja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, apeloi për korrektësi nga ndërtuesit, mbikëqyrësit dhe arkitektët në zbatimin e masave tekniko-ligjore, duke paralajmëruar kontrolle të vazhdueshme në terren.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat