Secondary Adv

OECD: Shqipëria ka numrin më të madh të emigrantëve në raport me popullsinë

Shqipëria kryeson listën e 45 vendeve me përqindjen më të lartë të emigrantëve ndaj popullsisë në vitin 2023, sipas të dhënave të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Raporti i fundit i OECD tregon se për çdo një mijë banorë në Shqipëri, 22.1 janë emigrantë në 38 vendet anëtare të organizatës, duke e renditur vendin tonë shumë përpara Rumanisë (12.7), Bullgarisë (11.9) dhe Kubës (10.6). Ky është treguesi më i lartë ndër të gjitha shtetet e analizuara, çka do të thotë se rreth një në katër shqiptarë jeton jashtë vendit.

 

Emigracioni ekonomik, sfida më e madhe e dekadës

Ndryshe nga vendet me konflikte apo kriza humanitare, si Siria apo Afganistani, emigracioni shqiptar është kryesisht ekonomik dhe social. Shkaqet kryesore lidhen me pagat e ulëta, mungesën e vendeve të punës, kostot e larta të jetesës dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë. Këto faktorë kanë shtyrë dhjetëra mijëra shqiptarë drejt vendeve si Italia, Gjermania, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

 

Edhe pse ekonomia shqiptare ka pasur rritje të qëndrueshme, ajo nuk është reflektuar në përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së jetesës për shtresat e mesme dhe të ulëta. Qiratë e larta, çmimet e konsumit dhe paga minimale që nuk mjafton për jetesë kanë bërë që shumë qytetarë, veçanërisht profesionistë dhe të rinj, të kërkojnë një të ardhme më të qëndrueshme jashtë.

 

Pasojat demografike dhe ekonomike

Kjo valë emigracioni po sjell boshatisjen graduale të popullsisë aktive dhe një plakje të shpejtë të shoqërisë. Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e fuqisë punëtore tashmë po ndikon në produktivitet dhe po ushtron presion mbi sistemin e sigurimeve shoqërore. Nëse trendi vazhdon, rrezikohet një reduktim i ndjeshëm i popullsisë në moshë pune gjatë dekadës së ardhshme.

 

Arsyet sociale dhe mungesa e besimit

Një tjetër faktor vendimtar mbetet mungesa e besimit te institucionet dhe perceptimi për korrupsion, mungesë meritokracie dhe pasiguri politike. Për shumë shqiptarë, emigrimi shihet si e vetmja rrugë për të pasur siguri ekonomike dhe sociale. Ky fenomen është më i theksuar tek të rinjtë, të cilët ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja dhe zhvillimi profesional në vend.

 

Efekti zinxhir dhe shërbimet publike

Emigracioni po ushqehet gjithashtu nga valët e mëparshme: ata që kanë emigruar vite më parë po tërheqin tashmë familjarë përmes bashkimit familjar dhe kontratave të punës. Një tjetër arsye është dobësia e shërbimeve publike — në veçanti arsimi dhe shëndetësia — që shtyn shumë familje të arsimuara të largohen për të siguruar kushte më të mira për fëmijët e tyre.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat