Secondary Adv

Parlamenti i kërkon AMF të rivendosë konkurrencën e lirë në sigurimin e detyrueshëm të mjeteve

Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) të rishikojë rregulloren për çmimet e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, për të garantuar konkurrencë të lirë dhe transparencë në treg.

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat ka përgatitur një projektrezolutë ku kërkon që AMF të rikthejë për diskutim dhe vendimmarrje rregulloren nr.156/2024, që përcakton faktorët e rrezikut në llogaritjen e primit të sigurimit të detyrueshëm.

 

Dokumenti rekomandon përafrimin e plotë të sistemit me modelin italian të sigurimeve motorike, i njohur për transparencë dhe ndëshkim proporcional të rrezikut.

 

Rregullore e re sipas modelit “bonus–malus”

Projektrezoluta propozon vendosjen e një sistemi funksional “bonus–malus” që shpërblen drejtuesit e kujdesshëm dhe penalizon shkeljet e përsëritura. Gjithashtu, parashikohet përfshirja e paketës familjare të sigurimit, transferimi i bonusit brenda familjes, përllogaritja e personalizuar e primit sipas historikut të drejtimit dhe diferencimi gjeografik i çmimeve, bazuar në nivelin lokal të rrezikut dhe frekuencën e aksidenteve.

 

Hetim i tregut për praktikat e kufizimit të konkurrencës

Kuvendi kërkon që, në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës, AMF të hetojë tregun e produkteve të sigurimit TPL dhe Karton Jeshil, për të verifikuar ekzistencën e praktikave që kufizojnë konkurrencën ose fiksimin e çmimeve. Hetimi duhet të përfshijë mënyrën e shkëmbimit të informacionit ndërmjet kompanive dhe ndikimin e tij në sjelljen tregtare.

 

Një tjetër kërkesë lidhet me identifikimin dhe ndëshkimin e subjekteve apo platformave digjitale që ofrojnë algoritme për koordinimin e çmimeve ose ndarjen e tregut ndërmjet operatorëve të sigurimeve, praktikë që bie ndesh me ligjin e konkurrencës.

 

Rritje e tregut, por mungesë diferencimi çmimesh

Sigurimi i brendshëm TPL mbetet produkti më i rëndësishëm në tregun e sigurimeve. Për 9-mujorin e vitit 2025, primet e shkruara bruto arritën në 10.5 miliardë lekë, një rritje prej 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky produkt përbën 56.6% të tregut të sigurimeve të jo-jetës. Megjithatë, ndarja e tregut mbetet thuajse e pandryshuar, me Sigal që ruan kryesimin me 20.64% të tregut, ndjekur nga Eurosig me 15.19% dhe Sigma me 14.59%.

 

Çmimet e sigurimit TPL rezultojnë pothuajse të njëjta në të gjitha kompanitë, me diferenca minimale nën 2%, pavarësisht rregullores së re që parashikon ndryshime sipas rrezikut. Ndërkohë, primet e rrezikut të miratuara nga AMF kanë diferenca deri në 82% mes kompanive, çka ngre dyshime për mungesë konkurrence reale dhe transparence në përcaktimin e çmimeve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat