Secondary Adv

Nesër përfundon afati, Kosova në prag vendimi: zgjedhje të reja apo mandat i ri për kryeministër

Kosova ndodhet në një moment vendimtar, teksa nesër përfundon afati kushtetues për formimin e qeverisë.

Afati dhjetëditor skadon të mërkurën, më 5 nëntor, dhe vjen pas dështimit të votimit në Kuvend për formimin e Qeverisë “Kurti 3”. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori vetëm 56 vota për kabinetin e tij të ri, duke mos siguruar shumicën e nevojshme për krijimin e qeverisë. Pas këtij zhvillimi, presidentja Osmani nisi konsultimet me të gjitha subjektet politike për të gjetur një zgjidhje brenda afatit ligjor.

 

Osmani: “Nuk do të paragjykoj vendimin, por zgjedhjet janë opsioni i fundit”

Pas takimeve me liderët politikë, presidentja deklaroi se do të bëjë çdo përpjekje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. “Mandatari i parë i takon partisë fituese, por Kushtetuta nuk kufizon se kush mund të marrë mandatin e dytë,” tha Osmani, duke theksuar se ajo ka diskrecionin kushtetues për të vendosur kujt t’ia japë këtë mundësi.

 

Megjithatë, Osmani theksoi se në rast se nuk paraqitet një shumicë e qartë parlamentare, do të detyrohet të shpallë zgjedhjet e reja, sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës.

 

Kurtit i mungon mbështetja, partitë opozitare kërkojnë zgjedhje

Albin Kurti pranoi se përpjekjet për krijimin e një koalicioni qeverisës nuk dhanë rezultat. “Asnjëra nga partitë parlamentare nuk pranoi të hyjë në bashkëqeverisje. Po të ishte pranuar oferta jonë, sot do të kishim një qeveri funksionale,” deklaroi ai.

 

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se “askush nuk mund të krijojë shumicën e re parlamentare me këtë përbërje” dhe akuzoi Kurtin për “manipulim dhe zvarritje të procesit”. Ndërsa Lumir Abdixhiku i LDK-së përjashtoi mundësinë e një “qeverie uniteti”, duke e quajtur këtë ide të pamundur në këtë fazë. Ramush Haradinaj i AAK-së shtoi se “me shumë gjasë nuk do të ketë mandatar tjetër” dhe se Kurti po kërkon vetëm të fitojë kohë.

 

Zgjedhjet, skenari më i mundshëm

Burime pranë presidencës pohojnë se, nëse deri nesër nuk paraqitet një propozim i ri i mbështetur nga shumica e deputetëve, Osmani pritet të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në zgjedhjet e fundit, të mbajtura më 9 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje doli forcë e parë, e ndjekur nga PDK dhe LDK.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat