KE: Shqipëria nuk është gati për zhbllokimin e fondeve të bujqësisë IPARD III
Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ende nuk është gati për zbatimin e plotë të programit IPARD III.
Sipas raportit, vonesat burokratike, mungesa e kapaciteteve administrative dhe dobësitë në mbikëqyrje kanë penguar zhbllokimin e fondeve. Komisioni thekson se vendi ka arritur “vetëm një nivel të pjesshëm përgatitjeje” dhe nuk ka bërë përparim gjatë periudhës raportuese për të përmbushur kriteret që lejojnë administrimin e drejtpërdrejtë të fondeve IPARD III.
BE kërkon forcim të kontrollit financiar dhe luftës kundër korrupsionit
“Është e nevojshme të rritet kapaciteti dhe mbikëqyrja për të nisur zbatimin e IPARD III në përputhje të plotë me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar,” thuhet në raport. Komisioni thekson se struktura aktuale e akreditimit dhe mbikëqyrjes nuk garanton ende standardet e kërkuara të kontrollit financiar.
Një nga pikat më kritike të identifikuara është menaxhimi i rrezikut të korrupsionit dhe raportimi i parregullsive në institucionet përgjegjëse. “Organet që zbatojnë IPARD janë të detyruara të parandalojnë, zbulojnë dhe raportojnë çdo rast abuzimi me fondet,” nënvizon raporti. BE kërkon rritjen e kapaciteteve të Drejtorisë së Antikorrupsionit, forcimin e kontrollit të brendshëm dhe bashkëpunim më të ngushtë me organet e drejtësisë dhe auditimit.
Stagnim në përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së
Komisioni vëren mungesë përparimi në përafrimin e legjislacionit për politikat e cilësisë me acquis-in evropian, që përcakton standardet për produktet bujqësore dhe ushqimore me origjinë të mbrojtur apo tregues gjeografikë. Kjo pengon përfshirjen e prodhuesve shqiptarë në tregjet evropiane dhe kufizon përfitimet nga programet e BE-së.
“Gjatë periudhës së raportimit nuk është bërë përparim në harmonizimin e legjislacionit mbi politikat e cilësisë me standardet e BE-së,” – thekson raporti i Komisionit.
Kërkesat e Komisionit për hapjen e fondeve
Për të mundësuar disbursimin e fondeve IPARD III, BE kërkon nga Shqipëria që të forcojë kapacitetet administrative dhe teknike të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), të garantojë ndarjen e qartë të funksioneve të menaxhimit, kontrollit dhe auditimit, si dhe të rrisë transparencën në përzgjedhjen e projekteve dhe publikimin e përfituesve. Po ashtu, kërkohet zbatim i rreptë i parimeve të menaxhimit të shëndoshë financiar dhe raportim i menjëhershëm i çdo parregullsie.
Programi IPARD III parashikon dhjetëra milionë euro për fermerët, agropërpunuesit dhe zhvillimin e zonave rurale. Sipas Komisionit, zhbllokimi i këtyre fondeve mbetet një provë kyçe e besueshmërisë institucionale të Shqipërisë dhe një tregues vendimtar për avancimin e vendit në procesin e integrimit evropian.