Projektbuxheti 2026, 887 miliardë lekë shpenzime, zgjerohet me 6.7 për qind
Buxheti zgjerohet me 6.7 për qind, ndërsa deficiti planifikohet 63 miliardë lekë, ose 2.3% e PBB-së.
Qeveria ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2026, me shpenzime totale prej 887 miliardë lekësh dhe të ardhura 823 miliardë lekë.
Sipas Ministrisë së Financave, rritja e buxhetit mbështetet në përmirësimin e administrimit fiskal, uljen e informalitetit dhe rritjen e të ardhurave tatimore e doganore. Objektivi mbetet ruajtja e disiplinës buxhetore dhe ulja graduale e borxhit publik, që parashikohet të zbresë në 53.6% të PBB-së në fund të vitit 2026.
Të ardhurat dhe shpenzimet kryesore
Të ardhurat për vitin 2026 parashikohen 823 miliardë lekë, me një rritje 6.8% nga viti 2025. Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat arrijnë 531 miliardë lekë (+6.3%), ndërsa kontributet shoqërore e shëndetësore 197 miliardë lekë (+11.4%).
Shpenzimet totale kapin 887 miliardë lekë (8.9 miliardë euro), me rritje 6.7% krahasuar me aktin normativ të vitit 2025. Nga kjo shumë, 140 miliardë lekë janë për pagat në administratë, përfshirë efektin e rritjes së pagës minimale në 50 mijë lekë dhe indeksimin 2.5%. Shpenzimet për interesa borxhi arrijnë 64.2 miliardë lekë, ndërsa ato operative dhe të mirëmbajtjes 81 miliardë lekë.
Investimet publike dhe fondet sociale
Investimet publike do të jenë 179.6 miliardë lekë (6.5% e PBB-së), përfshirë fondin e rindërtimit prej 5 miliardë lekësh dhe 6.8 miliardë lekë fonde nga Plani i Rritjes me BE. Prioritet do t’u jepet projekteve në vijim dhe atyre me financim të huaj.
Shpenzimet për fondet sociale arrijnë 286.6 miliardë lekë: 204 miliardë për skemën e sigurimeve shoqërore, 67 miliardë për kujdesin shëndetësor dhe 3.5 miliardë për kompensimin e pronarëve. Pensionet do të indeksohen me 1.65 miliardë lekë, ndërsa bonuset mujore për pensionistët kapin 10 miliardë lekë. Fondi i barnave onkologjike shtohet me 1.5 miliardë lekë.
Buxheti vendor dhe subvencionet
Pushteti vendor do të përfitojë 97.7 miliardë lekë, 9% më shumë se në 2025. Granti total nga qeveria qendrore për bashkitë do të jetë 47.3 miliardë lekë, përfshirë transfertat sektoriale dhe grantet e performancës. Subvencionet shtetërore arrijnë 2.45 miliardë lekë, me fokus në nxitjen e punësimit dhe sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.
Deficiti dhe borxhi publik
Deficiti buxhetor planifikohet në 63 miliardë lekë, ose 2.3% të PBB-së, me balancë primare të barabartë. Balanca fiskale mbetet pozitive, në 4.2% të PBB-së, ndërsa borxhi publik bruto ndjek trajektoren zbritëse — 54.1% në 2025 dhe 53.6% në 2026, me objektiv për ta ulur në 46.4% deri në vitin 2031.