Secondary Adv

Kontratat PPP marrin 120 mln euro në 2026, 10 mln euro për inceneratorin e Tiranës

Financimet për kontratat koncesionare dhe projektet PPP pritet të bien në 12.08 miliardë lekë në vitin 2026, rreth 13.3% më pak se në 2025.

Financimet për kontratat koncesionare dhe projektet e partneritetit publik–privat (PPP) do të arrijnë në rreth 12.08 miliardë lekë në vitin 2026, ekuivalente me 120 milionë euro, duke shënuar një rënie prej 13.3 për qind krahasuar me vitin 2025.

 

Sipas të dhënave të projektbuxhetit 2026, totali i fondeve për projektet me mbështetje buxhetore zbret nga 13.9 miliardë lekë në 2025, në 12.08 miliardë lekë, reflektim i politikës qeveritare për uljen graduale të barrës së kontratave të PPP-ve mbi buxhetin e shtetit. Ndër to, 10 milionë euro janë planifikuar për shlyerjen e detyrimeve të mbetura të kontratës së inceneratorit të Tiranës.

 

Infrastruktura dhe energjia mbeten me financim të qëndrueshëm

Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, financimet mbeten pothuajse të pandryshuara. Projekti i Rrugës së Arbrit ruan nivelin prej 3.36 miliardë lekësh, ndërsa për mirëmbajtjen e rrugëve parashikohen 660 milionë lekë. Po ashtu, projekti për portin e jahteve në Orikum do të financohet me 860 milionë lekë, pa ndryshim nga një vit më parë.

 

Ndërkohë, pagesat për shërbimin e doganave ulen lehtë nga 1.52 në 1.5 miliardë lekë, dhe programi i check-up-it për popullsinë 35–70 vjeç reduktohet nga 876 në 699.8 milionë lekë.

 

Rënie e fortë e fondeve në shëndetësi

Rënia më e madhe regjistrohet në Ministrinë e Shëndetësisë, ku projekti i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë bie nga 1.9 miliardë në vetëm 500 milionë lekë. Në të kundërt, koncesioni i laboratorëve në pesë spitale rajonale rritet lehtë, duke arritur në 2 miliardë lekë nga 1.9 miliardë që ishte në 2025.

 

PPP-të vendore dhe projektet arsimore

Në nivel vendor, Bashkia e Tiranës do të ketë fonde më të kufizuara për programet e ndërtimit të shkollave dhe eficiencës energjetike. Financimet për ndërtimin e shkollave parashikohen 685.2 milionë lekë, nga 707.5 milionë lekë në vitin 2025.

 

Reduktimi i fondeve për PPP-të konsiderohet pjesë e strategjisë për të kontrolluar ekspozimin fiskal dhe për të rritur transparencën e kontratave me sektorin privat, në përputhje me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionit Evropian.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat