Secondary Adv

Zbardhet skema e re e kompensimit për fermerët, 10 për qind rimbursim TVSH për inputet bujqësore

Nga 1 janari 2026 rikthehet skema e kompensimit të TVSH-së për fermerët me normë rimbursimi 10%.

Projektligji për ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” përcakton që fermerët do të përfitojnë kompensim për një pjesë të TVSH-së së paguar gjatë blerjes së inputeve, duke synuar lehtësimin e kostove të prodhimit dhe formalizimin e sektorit bujqësor. Ndryshe nga skema e mëparshme, kompensimi nuk do të kryhet më përmes faturës së blerësit, por përmes aplikimit të fermerit në administratën tatimore.

 

Si funksionon skema e re

Sipas relacionit shpjegues, kompensimi do të bëhet me normë fikse 10% dhe do t’u paguhet fermerëve që nuk janë të regjistruar për TVSH, pra që nuk ngarkojnë TVSH te blerësit, por e paguajnë gjatë blerjes së inputeve të tyre. Kjo normë ka për qëllim të rimbursojë pjesërisht barrën fiskale që u ngarkohet prodhuesve bujqësorë.

 

Blerësi i produkteve bujqësore duhet të jetë një subjekt i regjistruar për TVSH, që ushtron aktivitet si grumbullues, përpunues ose agroturizëm i certifikuar. Ai do të lëshojë një faturë tatimore të fiskalizuar për çdo furnizim të marrë nga fermeri, mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit. Fermeri më pas paraqet kërkesën për kompensim në administratën tatimore, bashkë me faturat dhe numrin e llogarisë bankare, përmes shërbimit postar ose elektronikisht.

 

Afatet dhe pagesat

Kërkesa për kompensim duhet të dorëzohet deri më 31 dhjetor për furnizimet e periudhës janar–qershor, dhe deri më 30 qershor të vitit pasardhës për periudhën korrik–dhjetor. Administrata tatimore do të kryejë pagesën brenda 30 ditëve nga data e dorëzimit të kërkesës. Pagesa do të kalojë direkt në llogarinë bankare të fermerit.

 

Krahasime me rajonin dhe BE-në

Skema e re është e ngjashme me praktikat e vendeve të Bashkimit Europian, ku normat e kompensimit variojnë nga 2% në 12%, si dhe me disa vende të Ballkanit Perëndimor: Bosnje-Hercegovina (5%), Kosova, Serbia dhe Mali i Zi (8%). Për Shqipërinë, norma 10% synon të mbulojë diferencën me nivelin e TVSH-së së vendosur për inputet bujqësore.

 

Qeveria argumenton se kjo mënyrë është më transparente dhe e administrueshme, pasi shmang abuzimet e konstatuara në skemën e vjetër dhe garanton që përfituesi final të jetë vetë prodhuesi bujqësor. Kjo masë pritet të ndihmojë në uljen e kostove të prodhimit, rritjen e formalizimit dhe nxitjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat