INSTAT: Kostot e ndertimit rriten lehte per te dytin tremujor radhazi
Krahas rritjes së taksave, ndërtuesit e apartamenteve po hasen dhe me një rritje të lehtë të kostove të materialeve të ndërtimit.
Indeksi i kushtimit në ndërtim, në tremujorin e tretë 2016 arriti 102,6 kundrejt tremujorit të parë 2011 (Tremujori i parë 2011=100), raportoi INSTAT. Ndryshimi vjetor i indeksit të kushtimit në ndërtim, për tremujorin e tretë 2016 është 0,1 %, ndërkohë që ndryshimi tremujor është 0,4 %.
Ndryshimi vjetor i indeksit të kushtimit në ndërtim është 0,1 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 0,4 %. Grupi “Shpenzime materiale”, ka patur rritjen më të madhe me 1,7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pasuar nga grupi “Shpenzime për paga” me 1,4 %.Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2015, ulja më e madhe vjetore vërehet në grupin ”Shpenzime transporti” me 3,4 %, pasuar nga grupi “Shpenzime për energji” me 0,4 %.
Në tremujorin e tretë 2016 ndryshimi i indeksit të kushtimit në ndërtim është 0,4 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2016, rritjen më të madhe e ka patur grupi “Shpenzime për paga” me 0,8 %, pasuar nga grupi “Shpenzime materiale” me 0,5 %. Brenda këtij grupi, nëngrupi “Materiale elektrike dhe komunikimi” u rrit me 1,1 %, pasuar nga nëngrupet “Materiale hidro-sanitare” dhe “Materiale ndërtimi” respektivisht me 0,6 % dhe 0,4 %. Indeksi i grupit “Shpenzime të tjera” u ul me 0,1 %, pasuar nga grupi “Shpenzime transporti” me 0,05 %.
Edhe pa rritjen e kostove, ndërtuesit presin që çmimet e apartamenteve të shënojnë një tjetër rritje në janar të vitit të ardhshëm sipas parashikimit të ndërtuesve, të udhëhequra nga shtimi i kërkesës, por edhe reflektimi i rritjes së taksave (dyfishimi i tarifës së ndikimit në infrastrukture për Tiranën nga 4 në 8% dhe llogaritja e saj në bazë të çmimit të shitjes dhe jo kostos si më parë).
Banka e Shqipërisë, në indeksin e çmimeve të banesave, ka konstatuar se ka pasur rritje çmimesh gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2016, që ka ndaluar në të tretin. Sipas BSH, në tremujorin e dytë, indeksi i çmimit të banesave u rrit me 5.2%, pas rritjes me 11.3% një tremujor më parë. Por ndërtuesit presin që rritja të rifillojë në muajt e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa të tjerë konfirmojnë se rritja tashmë ka filluar.