Në 2026 priten 130 mln euro shtesë nga rritja e pagës minimale dhe Paqja Fiskale
Projektbuxheti 2026 parashikon rreth 130 milionë euro të ardhura shtesë nga rritja e pagës minimale dhe “Paqja Fiskale”.
Që nga 1 janari 2026, paga minimale do të rritet nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, ndërsa në të njëjtën përqindje do të rritet edhe paga maksimale. Efekti pozitiv në të ardhura vlerësohet rreth 9 miliardë lekë, nga të cilat 7.6 miliardë do të vijnë nga kontributet shoqërore dhe 1.4 miliardë nga kontributet shëndetësore.
Efekti i “Paqes Fiskale”: 3.7 miliardë lekë të ardhura shtesë
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore dhe doganore” parashikon arkëtim shtesë prej 3.7 miliardë lekësh në vitin 2026. Ky ligj synon të lehtësojë subjektet që kanë detyrime të akumuluara ndaj administratës tatimore, duke u dhënë mundësinë të rikthehen në përputhje me ligjin dhe të përmirësojnë flukset e arkëtimeve në buxhetin e shtetit.
Përfitues do të jenë bizneset që kanë detyrime të papaguara si në sistemin elektronik “e-Tax” ashtu edhe jashtë tij, duke përfshirë detyrimet e prapambetura në doganë. Ministria e Financave e konsideron këtë masë një instrument për formalizimin fiskal dhe rritjen e disiplinës tatimore.
Ndryshimet në TVSH dhe kompensimi për fermerët
Pjesë e Paketës Tatimore 2026 është edhe projektligji që rikthen skemën e kompensimit për fermerët, me rimbursim 10% të TVSH-së për inputet bujqësore. Kjo masë, e cila hyn në fuqi më 1 janar 2026, pritet të ketë efekt negativ në të ardhura rreth 1.5 miliardë lekë, pasi do të ulë arkëtimet nga TVSH-ja, por synon të mbështesë sektorin bujqësor dhe formalizimin e tij.
Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me tatim 5%
Një tjetër nismë fiskale është projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, që ul tatimin mbi fitimin nga 15% në 5%. Qëllimi është përafrimi i vlerës së pronave me tregun dhe nxitja e formalizimit të tregut të pasurive të paluajtshme. Edhe pse procesi pritet të rrisë transparencën fiskale, Ministria e Financave nuk ka parashikuar ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat buxhetore për vitin 2026, pasi të ardhurat neutralizohen me tatimin mbi fitimin kapital në momentin e shitjes së pasurisë së rivlerësuar.
Përfitime afatgjata për buxhetin dhe ekonominë
Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, masat e përfshira në Paketën Tatimore 2026 pritet të rrisin efikasitetin e mbledhjes së të ardhurave, të mbështesin reformat për formalizimin e tregut të punës dhe të lehtësojnë barrën fiskale për sektorët strategjikë si bujqësia dhe ndërtimi.