Secondary Adv

Do të falen detyrimet tatimore e doganore të papaguara deri më 31 dhjetor 2014

Qeveria planifikon një amnisti fiskale të kufizuar për fshirjen e borxheve tatimore e doganore deri në fund të vitit 2014.

Qeveria propozon një amnisti fiskale të kufizuar në kohë që fshin plotësisht detyrimet tatimore e doganore të papaguara deri në fund të vitit 2014 (me përjashtim të kontributeve), si dhe skema lehtësuese për borxhet e viteve pasuese, me afat zbatimi nga 1 janar deri më 31 dhjetor 2026.

 

Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë” synon lehtësimin financiar të bizneseve dhe individëve dhe parashikon të ardhura rreth 3.7 miliardë lekë gjatë vitit 2026. Nga skema përjashtohen tatimpaguesit me dënime të formës së prerë apo në hetim/gjykim për shkelje tatimore apo doganore, ndërsa përfitues janë subjektet me detyrime të prapambetura që plotësojnë kushtet dhe afatet e ligjit.

 

Kush përfiton dhe kush përjashtohet

Përfitojnë tatimpaguesit me borxhe të regjistruara ndaj tatimeve apo doganave, sipas kritereve të ligjit dhe brenda afatit 1 janar–31 dhjetor 2026. Nuk përfitojnë ata me vendime të formës së prerë, apo që janë në proces hetimi ose gjykimi për shkelje tatimore/doganore.

 

Detyrimet deri në 31 dhjetor 2014

Fshihen plotësisht detyrimet tatimore direkte dhe indirekte të papaguara deri në fund të vitit 2014. Për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore fshihen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat, ndërsa vetë kontributet mbeten për t’u paguar. Kur principali është paguar më herët, falen gjobat dhe kamatëvonesat përkatëse.

 

Lehtësimet për periudhën 2015–2019

Për borxhet e krijuara nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, detyrimi mund të shuhet pjesërisht: nëse paguhet 50% deri më 30 qershor 2026, pjesa e mbetur fshihet; ose nëse paguhet 75% me këste mujore deri më 31 dhjetor 2026, fshihet 25% e mbetur. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për këto periudha fshihen tërësisht.

 

Detyrimet 2020–2024

Për borxhet e krijuara nga 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, falen gjobat dhe kamatëvonesat vetëm nëse paguhet plotësisht principali brenda 31 dhjetorit 2026. I njëjti rregull zbatohet edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, përfshirë vetëpunësuarit në bujqësi: falen sanksionet dhe interesat, por kërkohet pagesa e plotë e kontributit brenda afatit.

 

Tatimpaguesit e çregjistruar dhe gjobat automatike

Fshihen detyrimet për tatimpaguesit e çregjistruar në QKB ose në administratën tatimore deri në 31 dhjetor 2024. Po ashtu fshihen gjobat e krijuara automatikisht nga sistemi për deklarime të vonuara apo të padorëzuara (përfshirë pasqyrat financiare dhe vendimet për rezultatin), si dhe gjobat/interesat e lindura nga ndryshimet e listëpagesave me efekt prapaveprues ose nga zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, me kusht që deklaratat e mungura të dorëzohen deri më 30 qershor 2026.

 

Kompensimi me teprica tatimore

Kur tatimpaguesi ka tepricë kreditore në TVSH ose në një tatim tjetër, ajo kompensohet më parë me detyrimet e papaguara dhe pastaj zbatohet falja. Kjo dispozitë nuk zbatohet për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

 

Detyrimet doganore

Për detyrimet pagueshme në doganë vlejnë të njëjtat parime si për tatimet: fshirje e plotë për borxhet deri në 31 dhjetor 2014; fshirje e pjesshme për periudhën 2015–2019 nëse paguhet 50% deri në 30 qershor 2026 ose 75% me këste deri në 31 dhjetor 2026; dhe falje e gjobave e kamatëvonesave për periudhën 2020–2024, vetëm nëse paguhet i gjithë principali deri në 31 dhjetor 2026.

 

Procedura dhe afatet

Për të përfituar gjatë një procesi gjyqësor apo ankimi administrativ, tatimpaguesi heq dorë nga padia/ankimi në çdo fazë. Zbatimi bëhet nga administrata tatimore qendrore e vendore, administrata doganore dhe ISSH. Ministri i Financave do të nxjerrë udhëzimin zbatues.

 

Burimi: Monitor

 


Më të lexuarat