Pas zjarreve të verës, qeveria vendos fond të dedikuar për pajisje dhe infrastrukturë të bashkive
Buxheti 2026 përfshin një fond të veçantë për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore në bashki.
Fondi për përballimin e fatkeqësive natyrore
Pasoja të rënda nga zjarret e verës, që dogjën toka, banesa dhe shkaktuan dëme në bagëti, nxitën qeverinë të krijojë një fond të dedikuar për përmirësimin e pajisjeve dhe infrastrukturës së bashkive. Sipas projektbuxhetit 2026, është parashikuar “Fondi për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore”, i cili synon të mbështesë politikat kombëtare, rajonale dhe vendore në përballimin e fatkeqësive.
Ky fond do të administrohet nga Ministria e Mbrojtjes përmes programit “Emergjencat Civile” dhe do të përdoret për investime në pajisje dhe infrastrukturë që ndihmojnë reagimin ndaj situatave të emergjencës.
Struktura dhe funksionimi i fondit
Vlerësimi i projekteve që do të financohen do të kryhet nga Komisioni për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, i kryesuar nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe që përfshin përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Shoqata për Autonomi Vendore.
Komisioni do të miratojë rregullat, kriteret dhe specifikimet për financimin e projekteve, ndërsa sekretariati teknik do të funksionojë pranë AKMC-së për të ndihmuar procesin. Fondi do të ketë prioritet financimin e projekteve tashmë në proces, të cilat përfshihen në listën e investimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila mund të kërkojë rialokime midis projekteve sipas ecurisë së tyre.
Afatet për aplikim dhe miratim
Thirrjet për aplikim për vitin buxhetor 2026 do të hapen në nëntor 2025 dhe do të mbyllen më 15 shkurt 2026. Projektet e përzgjedhura nga Komisioni, përmes Ministrisë së Mbrojtjes, do t’i dërgohen Këshillit të Ministrave për miratim brenda datës 1 mars 2026.
Pas miratimit, Këshilli i Ministrave do të shpallë projektet fituese dhe do të përcaktojë autoritetet kontraktore për zbatimin e tyre deri më 15 mars 2026. Aplikuesit dhe zbatuesit e projekteve do të jenë njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat pritet të përfitojnë nga ky mekanizëm i ri për forcimin e kapaciteteve të tyre përballë fatkeqësive natyrore.