Hekurudha Durrës-Tiranë, 4 mln euro për të sjellë stacionin në kryeqytet
Qeveria planifikon sjelljen e stacionit të trenit në Tiranë me një investim prej 4.1 milionë euro, si pjesë e zgjatimit të linjës hekurudhore Durrës–Tiranë–Rinas.
Projekti i ri për stacionin e trenit në Tiranë
Projekti i hekurudhës Durrës–Tiranë, me degëzimin drejt Rinasit, do të vijojë punimet gjatë vitit 2026, me ndërhyrje në stacionin e 11, i cili ishte lënë jashtë fazës fillestare. Sipas projektbuxhetit të ri, janë parashikuar 400 milionë lekë (rreth 4.1 milionë euro) për zbatimin e segmentit “Terminali i transportit publik – Stacioni i trenit Tiranë”, që përfshin rreth 4 kilometra zgjatim të linjës ekzistuese dhe sjelljen e trenit deri në kryeqytet.
Blerja e njësive elektrike dhe elektrifikimi i linjës
Në buxhetin e vitit 2026 parashikohet edhe një fond prej 350 milionë lekësh (rreth 3.6 milionë euro) për blerjen e njësive elektrike të tipit EMU për linjën Durrës–Tiranë–Rinas. Qeveria ka hapur tashmë tenderin për elektrifikimin e hekurudhës dhe planifikon të sigurojë trenat e parë përpara nisjes së operimit. Hekurudha Shqiptare ka publikuar një “market teaser” për të tërhequr ofertues ndërkombëtarë, ndërsa po shqyrton mundësinë që operimi i trenave të pasagjerëve të bëhet me koncesion nga një operator privat me eksperiencë.
Financimi dhe afatet e përfundimit
Projekti u financua fillimisht me një kredi prej 70 milionë euro nga BERZH, ndërsa në fillim të këtij viti u kërkua një shtesë prej 40 milionë eurosh për përfundimin e punimeve. Sipas autoriteteve, shtesa u bë e nevojshme për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit dhe kostove të reja për ndërtimin e stacioneve. Punimet pritet të përfundojnë brenda vitit 2026, ndërsa nisja e plotë e operimit të trenave është planifikuar për fillimin e vitit 2027.
Linja e re hekurudhore
Hekurudha Durrës–Tiranë, me degëzimin në aeroportin e Rinasit, ka një gjatësi totale prej 39 kilometrash dhe do të ketë 11 stacione. Trenat elektrikë pritet të përshkojnë distancën mes dy qyteteve për vetëm 22 minuta, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjet urbane dhe transportin publik në rajonin më të populluar të vendit.