Secondary Adv

Deri më 2014 do falen 525 mln euro borxhe në Tatime dhe Dogana: Kategoritë që përfitojnë

Projektligji parashikon fshirjen e borxheve të papaguara mbi 10 vite për bizneset dhe lehtësime për detyrimet nga vitet 2015–2024 me kushte të caktuara.

Fshirje e plotë e borxheve deri në vitin 2014

Qeveria ka miratuar projektligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore dhe doganore”, që parashikon fshirjen e plotë të borxheve të papaguara deri më 31 dhjetor 2014. Totali i detyrimeve që do të shuhen arrin rreth 525 milionë euro, përfshirë 260 milionë euro në Tatime dhe 266 milionë euro në Dogana.

 

Në Tatime, pjesa më e madhe e borxhit lidhet me TVSH-në e papaguar (11.6 miliardë lekë), tatim-fitimin (6.2 miliardë lekë) dhe taksa të tjera (6.5 miliardë lekë), ndërsa në Dogana dominon pesha e gjobave dhe interesave me vlerë rreth 200 milionë euro. Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore do të fshihen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat, ndërsa principali duhet të paguhet.

 

Falje e pjesshme për borxhet e viteve 2015–2019

Projektligji parashikon lehtësime edhe për detyrimet e periudhës 2015–2019. Tatimpaguesit që paguajnë 50% të detyrimit brenda datës 30 qershor 2026 përfitojnë fshirjen e pjesës tjetër, ndërsa ata që paguajnë 75% deri më 31 dhjetor 2026, në këste mujore, do të kenë falje të 25% të mbetur. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhën përkatëse do të shuhen plotësisht. Kjo politikë përfshin edhe vetëpunësuarit në bujqësi.

 

Fshirje e gjobave për detyrimet 2020–2024

Për borxhet e krijuara nga 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, drafti parashikon fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave vetëm nëse paguhet plotësisht principali deri më 31 dhjetor 2026. E njëjta skemë vlen edhe për kontributet shoqërore e shëndetësore, përfshirë bujqit vetëpunësuar. Në këto raste, 100% e kontributit duhet të shlyhet brenda afatit për të përfituar faljen e plotë të gjobave dhe interesave.

 

Borxhi total tatimor dhe doganor në fund të vitit 2024

Sipas të dhënave zyrtare, administrata tatimore ka regjistruar 202,387 tatimpagues debitorë me një borxh total prej 162.5 miliardë lekësh (rreth 1.7 miliardë euro), nga të cilat 60% janë principal, 35% gjoba dhe 5% interesa. Në Dogana, borxhet e papaguara arrijnë 48.5 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro), me 55% gjoba dhe 18% kamatëvonesa. Nga këto, 25.7 miliardë lekë janë detyrime të papaguara mbi 10 vite, që do të fshihen plotësisht.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat