Struktura e punësimit 2003-2023, Shqipëria në vendnumëro për profesionet e kualifikuara
Studimi i Bankës Botërore tregon se nga viti 2003 deri më 2023, Shqipëria ka zhvendosur punësimin nga bujqësia drejt shërbimeve të ulëta, pa rritje të profesioneve që kërkojnë arsim të lartë.
Rritje e dobët e profesioneve me aftësi të larta
Rritja e vendeve të punës që kërkojnë arsim të lartë dhe aftësi profesionale në Shqipëri ka qenë më e ngadaltë se në pjesën tjetër të rajonit, sipas studimit të Bankës Botërore për Europën Juglindore dhe Azinë. Në periudhën 2002–2023, punët me aftësi elementare u zgjeruan me 15%, ndërsa ato që kërkojnë arsim të lartë vetëm 5%. Kjo tregon se tranzicioni nga ekonomia bujqësore drejt asaj të shërbimeve nuk është shoqëruar me rritje cilësore të punësimit.
Zhvendosje drejt punëve me produktivitet të ulët
Ekonomia shqiptare ka përjetuar rënie të vendeve të punës manuale rutinë në bujqësi dhe industri të lehta, ndërsa është shtuar punësimi në sektorë me produktivitet të ulët, si tregtia, pastrimi, kujdesi personal dhe transporti. Kjo do të thotë se punët e reja janë kryesisht me aftësi të ulëta dhe paga më të vogla, pa krijuar hapësirë të mjaftueshme për profesionistë, teknikë apo menaxherë.
Shqipëria pas vendeve të rajonit në punësimin e kualifikuar
Krahasuar me Rumaninë, Poloninë, Serbinë apo Kroacinë, Shqipëria ka pasur rritjen më të vogël të punëve me kualifikim të lartë. Ndërsa vendet e tjera kanë kaluar drejt ekonomive të bazuara në dije dhe teknologji, Shqipëria ka mbetur në fazën e shërbimeve të thjeshta. Sipas Bankës Botërore, vendet si Rumania e Turqia kanë arritur rritje të dukshme të punëve për profesionistë dhe teknikë, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja kanë humbur punë manuale pa krijuar alternativa të kualifikuara.
Nevoja për politika që nxisin punësimin cilësor
Struktura aktuale e punësimit në Shqipëri tregon një transformim të paplotë, ku numri i punonjësve në sektorë si tregtia dhe turizmi është rritur, por jo cilësia e vendeve të punës. Banka Botërore thekson se vendi ka nevojë për politika arsimore dhe zhvillimore që orientojnë punësimin drejt sektorëve me vlerë të shtuar, si teknologjia, shërbimet profesionale, arsimimi dhe inovacioni.