Rriten kostot e jetesës, largohen pensionistët e huaj
Qiratë dhe çmimet e ushqimeve, që kanë arritur nivele mbi mesataren europiane, po e bëjnë gjithnjë e më pak tërheqëse Shqipërinë për të huajt në moshë pensioni.
Pensionistët e huaj po largohen nga vendi
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i të huajve mbi 60 vjeç me leje qëndrimi në Shqipëri ra me 15.5% gjatë vitit 2024, duke zbritur në 3,007 persona. Kjo grup-moshë përbën një pjesë të rëndësishme të të huajve rezidentë, por për herë të parë pas disa vitesh ka shënuar rënie të ndjeshme, për shkak të kostove në rritje të jetesës. Qiratë e larta, çmimet e ushqimeve dhe shpenzimet bazë kanë kaluar mesataren europiane, duke e bërë vendin më pak të përballueshëm për pensionistët që kishin zgjedhur Shqipërinë si destinacion për të jetuar pas daljes në pension.
Rritet numri i të huajve të rinj në moshë pune
Ndonëse totali i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri është rritur në 21,940 persona në 2024, profili i tyre po ndryshon. Të dhënat tregojnë një zhvendosje drejt grupmoshave më të reja dhe më aktive profesionalisht. Grupi 20–29 vjeç u rrit me 14%, duke arritur në 4,356 persona, ndërsa grupi 30–39 vjeç u rrit me 11.7%, në 5,395 persona. Këto kategori përfaqësojnë studentë, punonjës sezonalë dhe profesionistë që po e shohin Shqipërinë si destinacion për punë ose studime.
Tkurrje për moshat afër pensionit
Përveç grupit mbi 60 vjeç, edhe grupmosha 50–59 vjeç ka shënuar rënie me 15%, çka tregon se të huajt që afrohen me moshën e pensionit po e shmangin Shqipërinë si vendqëndrim afatgjatë. Arsye kryesore mbeten kushtet e jetesës dhe rritja e kostove që kanë zbehur përfitimet ekonomike që dikur e bënin vendin tërheqës për pensionistët e huaj.
Profili i ri i emigrantëve: më i ri dhe aktiv ekonomikisht
Rritja më e madhe është vënë re tek grupmoshat 20–49 vjeç, që përbëjnë tashmë mbi gjysmën e totalit të të huajve me leje qëndrimi. Kjo tregon se Shqipëria po tërheq më shumë të rinj profesionistë dhe punëtorë aktivë, ndërsa modeli i “rezidencës pas pensionit” po zbehet. Grupi nën 19 vjeç mbetet stabël, me rreth 1,947 persona, që përfaqësojnë kryesisht fëmijë të familjeve të huaja rezidente.