Secondary Adv

Porti dhe Hekurudha, dy projektet strategjike që e kthejnë Durrësin në nyje rajonale transporti

Qeveria shqiptare po e pozicionon Durrësin si qendër të rëndësishme logjistike të rajonit përmes dy projekteve madhore, portin e ri të Porto Romanos dhe hekurudhën Tiranë -Durrës - Rinas.

Porti i Porto Romanos, projekti që zhvendos mallrat dhe sjell turizmin në Durrës

Drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu, deklaroi në forumin e Klik Ekspo Group se puna është përqendruar te zhvendosja e operacioneve tregtare drejt Porto Romanos, ndërsa porti aktual do të shndërrohet në një qendër turistike për jahte dhe marina. “Porti i ri do të jetë një port i gjelbër, me thellësi të madhe ujore, sisteme inteligjente dhe infrastrukturë të integruar rrugore e hekurudhore. Ai do të vendosë Shqipërinë në një nivel të ri konkurrueshmërie në rajon,” tha Aliu.

Ndërkohë, porti ekzistues do të marrë funksione turistike, duke e kthyer Durrësin në një qytet bregdetar me marina moderne dhe hapësira të reja për zhvillimin e turizmit elitar. Projekti synon që zhvendosja drejt Porto Romanos të kryhet gradualisht, duke ruajtur funksionalitetin e zinxhirit logjistik të mallrave gjatë tranzicionit.

 

Lidhjet rajonale dhe rëndësia strategjike

Porti i ri do të shërbejë si pikë kyçe e korridoreve kombëtare dhe ndërkombëtare të transportit, përfshirë Korridorin VIII dhe Rrugën e Kombit që lidh Shqipërinë me Kosovën. “Rajoni do të gravitojë përmes Durrësit. Me Porto Romanon, hekurudhën dhe autostradat ekzistuese, zhvillimi ekonomik i rajonit do të marrë një impuls të madh,” shtoi Aliu.

 

Hekurudha Tiranë–Durrës–Rinas, projekti i parë i elektrifikuar në vend

Paralelisht me zhvillimet në port, po përfundon rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë–Durrës dhe ndërtimi i linjës së re që lidh hekurudhën me aeroportin e Rinasit. Administratori i “Hekurudha Shqiptare”, Ergys Verdho, deklaroi se 90% e punimeve civile janë përfunduar dhe se linja do të jetë gati për testim brenda fundvitit. Operimi pritet të nisë në fillim të vitit 2027.

Projekti përfshin elektrifikimin e linjës, i financuar me 27 milionë euro nga grantet dhe kreditë e BERZH dhe IBRD. “Ky proces do të ulë ndotjen, do të rrisë efikasitetin dhe do ta lidhë Tiranën përmes stacionit qendror ‘City Center Station’ me portin e Durrësit dhe aeroportin,” theksoi Verdho.

 

Durrësi, qendra e re e transportit dhe zhvillimit rajonal

Kombinimi i dy projekteve — portit të Porto Romanos dhe hekurudhës elektrike — do ta kthejë Durrësin në nyjën më të rëndësishme të transportit multimodal në Shqipëri dhe një qendër të re zhvillimi ekonomik për rajonin. Investimet e reja pritet të nxisin tregtinë, turizmin dhe lidhjet ndërkombëtare, duke përmirësuar pozicionin strategjik të vendit në hartën e transportit europian.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat