Secondary Adv

Vendet me cilësinë më të lartë të jetesës

Indeksi i Cilësisë së Jetës i Numbeo mat kushtet e përgjithshme të jetesës në vende të ndryshme, duke kombinuar të dhëna për kostot, sigurinë, kujdesin shëndetësor, ndotjen dhe faktorë të tjerë, bazuar në sondazhe të përdoruesve.

Zvicra mbetet një nga vendet me vlerësimin më të lartë, ndërsa të tjera si Holanda dhe Norvegjia janë ngjitur në renditje.

 

Kanadaja ka përjetuar rënien më të madhe të standardeve të jetesës, duke rënë nga vendi i 9-të në të 27-in gjatë dekadës së fundit.

 

Indeksi i Cilësisë së Jetës i Numbeo përmbledh të dhëna nga sondazhe me njerëz nga e gjithë bota, për të kuptuar se si ata e perceptojnë jetën në vendin e tyre.

 

Të dhënat për këtë renditje vijnë nga Numbeo, e cila mbledh informacione të raportuara nga përdoruesit për tetë faktorë kryesorë: Fuqia blerëse, ndotja, raporti i çmimit të banesës ndaj të ardhurave, kostoja e jetesës, siguria, kujdesi shëndetësor, koha e udhëtimit me makinë për në punë, klima.

 

Rezultati i cilësisë së jetës për secilin vend llogaritet bazuar në këta faktorë, ku vlerat më të larta përfaqësojnë kushte më të mira të përgjithshme jetese.

 

Vendet europiane kryesuan renditjen si në vitin 2015 ashtu edhe në 2025, ndoshta si pasqyrim i sistemeve të forta të mirëqenies sociale, sigurisë dhe infrastrukturës së zhvilluar në rajon.

 

Holanda spikat si rasti më pozitiv, duke u ngjitur me 12 vende që nga viti 2015.

 

Megjithatë, jo të gjitha vendet europiane e kanë ruajtur pozicionin. Suedia ka rënë me 10 vende (nga i 3-ti në të 13-in).

 

Dikur e konsideruar një nga vendet më të sigurta të Europës, Suedia ka përjetuar një rritje shqetësuese të rrjeteve të krimit të organizuar.

 

Vlerësohet se rreth 62 mijë persona janë të lidhur me këto rrjete, që merren kryesisht me tregtinë e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore dhe pastrimin e parave.

 

Kanadaja ka humbur më shumë pozicione se çdo vend tjetër gjatë periudhës së analizuar, duke rënë nga vendi i 9-të në të 27-in.

 

Përballueshmëria e banesave është një nga problemet më të mprehta në vend, pasi çmimet reale të banesave po rriten shumë më shpejt se të ardhurat.

 

Sipas një sondazhi të vitit 2024 nga Statistics Canada, 45 % e kanadezëve janë “shumë të shqetësuar” për aftësinë e tyre për të përballuar blerjen ose qiranë e një banese.

 

Një tjetër sfidë madhore është kujdesi shëndetësor. Koha mesatare e pritjes ndërmjet referimit nga mjeku i familjes dhe marrjes së trajtimit është 30 javë.

 

Sipas Institutit Fraser, kjo është 222 % më e gjatë se periudha mesatare prej 9.3 javësh e regjistruar në vitin 1993. /Monitor(https://monitor.al/vendet-me-cilesine-me-te-larte-te-jeteses/)


Më të lexuarat