Secondary Adv

Tregtia elektronike në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria e Maqedonia e Veriut mbeten në fund

Tregtia elektronike në Ballkanin Perëndimor po rritet me ritme të qëndrueshme, por hendeku me mesataren e Bashkimit Europian mbetet i thellë.

Në aspektin e ofertës, Serbia dhe Bosnja & Hercegovina qëndrojnë në krye të rajonit, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut zënë vendet e fundit.

 

Sipas të dhënave të raportit të Shoqatës së E-Commerce të Maqedonisë së Veriut, të vitit 2024, 28% e ndërmarrjeve serbe dhe 23.5% e atyre boshnjake realizonin shitje online, përballë një mesatareje të BE-së prej 22.8%. Shqipëria shënon vetëm 13.5%, ndërsa Maqedonia e Veriut 8.3%, duke mbetur ndjeshëm nën nivelin rajonal dhe europian.

 

Të dhënat e Eurostat tregojnë se Shqipëria ka një bazë të gjerë përdoruesish “të rinj” në tregtinë elektronike. 67.6% e e-blerësve shqiptarë kryejnë 1–2 blerje në tre muajt e fundit, 23.67% blejnë 3–5 herë, dhe vetëm 6.01% blejnë 6–10 herë.

 

Në Maqedoninë e Veriut, modeli është thuajse identik (67.6%, 27.59%, 3.23%). Serbia, ndërkohë, paraqitet më e pjekur në sjellje: 52.5% blejnë 1–2 herë, 37.63% 3–5 herë, dhe 4.42% 6–10 herë.

Kosova ka treguesit më të balancuar – 44.87% (1–2 herë), 42.05% (3–5 herë), 9.03% (6–10 herë).

Mali i Zi dhe Bosnja & Hercegovina tregojnë po ashtu intensitet të lartë blerjesh: përkatësisht 48.75% / 35.87% / 10.94% dhe 49.31% / 31.67% / 13.34%.

Në BE (27), shpërndarja është shumë më e balancuar – 33.06%, 33.42%, dhe 16.1%, duke reflektuar një treg të konsoliduar dhe me frekuencë të lartë blerjesh.

 

Veshjet (përfshirë atlete e aksesorë) janë produkti më i blerë në të gjitha vendet. Platforma të tjera përdoren gjerësisht për ushqim e restorante, si dhe për elektronikë shtëpiake, kozmetikë e produkte “wellness” – një kombinim i nevojave praktike dhe stilit të jetesës moderne.

 

Megjithatë, shumica e blerjeve mbeten të vogla në vlerë, duke treguar se tregu është ende në fazën e konsolidimit.Sipas të dhënave, në Shqipëri, 91.7% e blerësve blejnë nga tregtarë vendas. Blerjet ndërkombëtare janë më të kufizuara: 17.2% nga BE, 35.2% nga vende jashtë BE-së dhe 28.9% nga burime “të panjohura” (vlera jo-ekskluzive).

 

Në Serbi (97.7%) dhe Kosovë (97.6%), ky orientim është edhe më i fortë. Mali i Zi ka hapje më të madhe ndërkombëtare – 38.9% nga BE dhe 29.1% nga vende jashtë saj.

 

Struktura e shpenzimeve mbetet e ulët. Në Shqipëri, 42% e e-blerësve shpenzojnë më pak se 50 euro në 3 muaj, 19% midis 100–499 euro, dhe vetëm 4% midis 500–999 euro. Në Bosnjë e Hercegovinë, 43% / 23% / 2%, në Kosovë 40% / 22% / 2%, në Mal të Zi 47% / 18% / 1%, në Maqedoninë e Veriut 48% / 17% / 0%, ndërsa në Serbi 49% / 15% / 1%. Në BE, tregu është dukshëm më i pjekur: 13% shpenzojnë më pak se 50 €, 42% midis 100–499 €, dhe 10% midis 500–999 €.

 

Edhe pse përdorimi po rritet, Ballkani Perëndimor mbetet në fund të Europës për pjesëmarrje në blerjet online. Në vitin 2023, pjesa e përdoruesve të internetit që blejnë online ishte: Serbia ~64.2%, Kosova 51%, B&H ~41.3%, Shqipëria ~38.5%, Mali i Zi ~32.1%, ndërsa Maqedonia e Veriut ~53.5%. Mesatarja e BE-së arrin 75.3%, pra rreth dyfishin e nivelit shqiptar.

 

Çfarë bëjnë qytetarët online?

 

Aktivitetet kryesore në internet janë të lidhura me telefonata, video-thirrje dhe rrjete sociale. Në Shqipëri, 80.3% marrin pjesë në rrjete sociale, 98.7% përdorin thirrje zanore/video, 61.9% kërkojnë informacion për produkte e shërbime, 18.1% përdorin banking online, dhe 10.2% shesin mallra/shërbime.

 

Serbia është përpara në banking online (37.3%), ndërsa mesatarja e BE-së qëndron shumë më lart – 69.9% për banking online dhe 21.7% për shitje individuale.

 

Shqipëria ka një bazë të gjerë përdoruesish të rinj digjitalë, por me frekuencë të ulët blerjesh, shpenzime të vogla, dhe biznese ende të kufizuara online. Serbia dhe Bosnja po e tërheqin rajonin përpara falë ofertës më të madhe, infrastrukturës më të përparuar të pagesave, dhe besimit më të lartë të konsumatorëve. Për Shqipërinë, sfidat kyçe mbeten: rritja e numrit të ndërmarrjeve që shesin online, përhapja e pagesave digjitale dhe zhvillimi i logjistikës kombëtare të e-commerce./ekofin.al


Më të lexuarat