Secondary Adv

Përfundon procesi i numërimit, Partia Socialiste fituese në 5 bashkitë e vendit

KQZ shpalli rezultatet përfundimtare në Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat, ku kandidatët e Partisë Socialiste fituan me diferenca të thella, ndërsa PD regjistroi rënie të madhe.

Zgjedhjet e pjesshme lokale në pesë bashkitë e vendit nuk prodhuan surpriza, me Partinë Socialiste që siguroi fitore të qarta në të gjitha rastet. Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PS fitoi në Vlorë, Berat, Cërrik, Tepelenë dhe Mat, ndërsa PD e Sali Berishës, e cila në këto zgjedhje mbështeti kandidatë të pavarur, pësoi rënie të fortë krahasuar me zgjedhjet e 11 majit.

 

Vlorë: PS fiton me 78 për qind

Vlora, ku u shënua pjesëmarrja më e ulët me vetëm 12.5%, dha fitoren e thellë për Partinë Socialiste. Brunilda Mersini, ish-deputete e PS, fitoi me 78% ose 15,672 vota. Kandidatët e pavarur opozitarë morën 11.68% dhe 9.88% të votave. Krahasuar me 11 majin, PS u rrit me 19%, ndërsa PD u tkurr me 13.52%.

 

Cërrik: PS ruan epërsinë

Në Cërrik, kandidati i PS Florenc Doka fitoi me 66.22% të votave, duke marrë 6,201 vota, ndërsa kandidati i mbështetur nga PD, Amarildo Hoxha, mori 1,888 vota. PS shënon një rritje prej 6.72%, ndërsa PD pësoi tkurrje me 9.14% krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

 

Berat: Fitorja më e thellë e PS

Në Berat, kandidati socialist fitoi me 83.35% ose 13,050 vota kundrejt 16.65% të rivalit Pavlo Shkarpa, i mbështetur nga PD. PS shënoi rritje prej 28%, ndërsa PD humbi 16.75% të mbështetjes.

 

Tepelenë: PS fiton me 77.85 për qind

Në Tepelenë, ku për herë të parë u testua numërimi me inteligjencë artificiale, kandidati socialist Gramos Sako fitoi me 77.85% ose 3,261 vota, ndërsa rivali i mbështetur nga opozita mori vetëm 928 vota. PS rritet me 9.5%, ndërsa PD bie me rreth 1%.

 

Mat: Socialistët mbajnë bastionin në veri

Në Mat, i vetmi qytet verior në këto zgjedhje, kandidati i PS Altin Bojni fitoi me 66.54% ose 7,425 vota, kundrejt 28.54% të Eduart Brahilikës, kandidatit të mbështetur nga PD. PS rritet me 7.34%, ndërsa PD pëson rënie me 8.16% krahasuar me 11 majin.

 

Pjesëmarrje e ulët në votime

Në total, pjesëmarrja në votime ishte 18.45% nga 334,539 qytetarë me të drejtë vote. Bashkia Mat shënoi pjesëmarrjen më të lartë me 39.36%, e ndjekur nga Tepelena me 34.63%, Cërriku me 25% dhe Berati me 19.98%. Vlora regjistroi nivelin më të ulët me vetëm 12.54% të zgjedhësve që morën pjesë në votime.

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat