Secondary Adv

Shqipëria e fundit në Europë për të ardhurat mesatare për frymë, 3075 euro/vit

Të dhënat e Eurostat tregojnë se Shqipëria renditet e fundit në kontinent për të ardhurat mesatare për frymë, me më pak se një të pestën e nivelit të Bashkimit Europian.

Sipas raportit më të fundit të Eurostat, pabarazitë ekonomike në Europë mbeten të theksuara, me Shqipërinë që pozicionohet në fund të listës për të ardhurat mesatare për frymë, edhe pas rregullimit sipas fuqisë blerëse. Luksemburgu kryeson me 50,799 euro për frymë, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian arrin në 21,582 euro, duke e lënë Shqipërinë shumë prapa me vetëm 3,075 euro në vit, ose 5,098 njësi në paritet fuqie blerëse (PPS).

 

Shqipëria e fundit në rajon

Edhe krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria mbetet më e varfra. Maqedonia e Veriut ka të ardhura mesatare 3,910 euro, Mali i Zi 4,293 euro, ndërsa Serbia 6,073 euro. Në vendet e rajonit që tashmë janë pjesë e BE-së, diferenca është shumë më e madhe: Kroacia arrin në 12,344 euro, Rumania 7,837 euro dhe Bullgaria 7,811 euro. Në terma të fuqisë blerëse, të ardhurat reale në Shqipëri përfaqësojnë vetëm 24% të mesatares së BE-së, kundrejt 60–70% për Kroacinë, Rumaninë dhe Bullgarinë.

 

Hendeku me BE-në mbetet i thellë

Krahasuar me mesataren evropiane prej 21,582 euro, një shqiptar fiton mesatarisht vetëm 3,075 euro në vit, pra rreth 14% të nivelit të BE-së. Edhe pse kostoja e jetesës në Shqipëri është më e ulët, standardi i jetesës mbetet shumë më poshtë. Një kroat fiton katër herë më shumë, ndërsa një serb pothuajse dy herë më shumë se një shqiptar. Sipas profesor Stefano Filauro nga Universiteti “Sapienza” i Romës, vendet me ekonomi të përqendruara në shërbime bazë, produktivitet të ulët dhe nivel të lartë informaliteti kanë vështirësi të mëdha për t’u përafruar me standardet e BE-së — një situatë që pasqyron realitetin ekonomik të Shqipërisë.

 

Faktorët që pengojnë konvergjencën ekonomike

Për Shqipërinë, faktorët kryesorë që ndikojnë në nivelin e ulët të të ardhurave janë pagat e vogla, mungesa e sektorëve me vlerë të shtuar të lartë, emigracioni masiv që zvogëlon bazën tatimore dhe mungesa e diversifikimit ekonomik. Këto elemente kufizojnë produktivitetin dhe frenojnë rritjen afatgjatë.

 

Të ardhurat në terma të fuqisë blerëse

Kur të ardhurat përshtaten për fuqinë blerëse (PPS), hendeku me BE-në ngushtohet, por mbetet i ndjeshëm. Shqipëria regjistron 5,098 PPS, ndërsa Luksemburgu 37,781 PPS dhe mesatarja e BE-së është 21,245 PPS. Ndër vendet anëtare, Hungaria ka nivelin më të ulët me 11,199 PPS. Diferenca mes vendit më të pasur dhe më të varfër në BE është rreth 26,500 PPS, ndërsa në vlera nominale afro 43,000 euro.

 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat