Raporti i kredive me probleme arrin nivelin më të lartë që prej nëntorit 2024
Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme arriti në 4.37% në fund të shtatorit, duke u rritur për të tretin muaj radhazi.
Ky është niveli më i lartë që nga nëntori i vitit të kaluar, megjithëse me bazë vjetore treguesi mbetet në rënie, pasi një vit më parë shënohej 4.58%.
Kredia në ekonomi vijon të rritet me ritme të larta
Portofoli i përgjithshëm i kredisë për ekonominë arriti në 901.6 miliardë lekë në fund të shtatorit, me një rritje vjetore prej 10.9%. Edhe pse rritja është ngadalësuar lehtë krahasuar me vitin 2024, ajo mbetet në ritme dyshifrore dhe pranë niveleve më të larta të 16 viteve të fundit. Në këtë kuadër, raporti i kredive me probleme ka frenuar rënien dhe në tremujorin e fundit po shfaq një tendencë të lehtë në rritje.
Rritje e stokut të kredive me probleme
Stoku i kredive me probleme vlerësohet në rreth 39.4 miliardë lekë, nga 34.9 miliardë në fund të vitit të kaluar dhe 37.2 miliardë lekë një vit më parë, duke u rritur me 12.8% që nga fillimi i vitit. Raporti i Stabilitetit Financiar i Bankës së Shqipërisë thekson se sektori bankar ka regjistruar më shumë kredi të reja me probleme, me fluksin vjetor që arriti në 1.9% të kredive të rregullta, nga 1.7% dhe 1.8% respektivisht në periudhat e mëparshme.
Masa kufizuese për kreditimin e banesave
Që nga mesi i vitit, Banka e Shqipërisë ka vendosur masa kufizuese për të frenuar riskun e huadhënies në sektorin e banesave. Bankave u është ndaluar financimi 100% i blerjes së banesave dhe janë përcaktuar kritere të reja për raportin mes këstit të kredisë dhe të ardhurave, me një marzh përjashtimi prej 15%. Megjithatë, në tremujorin e tretë të vitit 2025, kreditimi për banesa arriti në 13.8 miliardë lekë, në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë.
Ekspertët presin që efektet e masave të reja të ndihen gradualisht, duke sjellë një ngadalësim të rritjes së portofolit të kredive. Nëse kreditë me probleme vazhdojnë të rriten, raporti pritet të përkeqësohet më tej në muajt e ardhshëm.