Blerja e trenave elektrikë për Tiranë-Durrës, akordohen 350 mln lekë në buxhetin 2026
Sipas projektbuxhetit të vitit 2026, janë parashikuar 350 milionë lekë për blerjen e trenave që do të operojnë në linjën Tiranë–Durrës–Rinas, me një kosto totale të projektit prej 1 miliard lekësh.
Blerja e trenave elektrikë për linjën Tiranë–Durrës–Rinas do të financohet nga buxheti i shtetit, me 350 milionë lekë të akorduara në projektbuxhetin 2026. Pjesa tjetër e financimit do të mbulohet gjatë viteve 2027 dhe 2028, me përkatësisht 350 dhe 300 milionë lekë.
Investime shtesë për stacionin e trenit në Tiranë
Përveç fondeve për trenat, në buxhetin e vitit 2026 janë akorduar edhe 400 milionë lekë për projektin e rikonstruksionit të stacionit të trenit në Tiranë. Ky investim, me kosto totale 1.8 miliardë lekë, përfshin një segment 4 kilometra të gjatë që nis nga terminali i transportit publik pranë kthesës së Kamzës dhe përfundon në vendndodhjen e vjetër të stacionit të trenit në kryeqytet.
Përfundimi i linjës dhe elektrifikimi
Linja hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, ndërsa elektrifikimi dhe mbërritja e trenave për nisjen e operimeve synohen të realizohen brenda tremujorit të parë të vitit 2027. Aktualisht janë në zbatim dy kontrata: një për ndërtimin e linjës dhe një për stacionet.
Ecuria e punimeve
Sipas Hekurudhës Shqiptare, 90% e punimeve të kontratës për ndërtimin e linjës dhe sistemet e sinjalizim-telekomunikacionit janë përfunduar, ndërsa kanë mbetur instalimet e brendshme që lidhen me përfundimin e godinave të stacioneve. Për këto të fundit janë realizuar rreth 25% e punimeve, dhe përfundimi pritet në maj 2026. Paralelisht, po zhvillohet tenderi në dy faza për elektrifikimin e linjës, i cili drejtohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.