SHBA, Senati miraton projektligjin që pritet ti japë fund mbylljes historike të qeverisë
Senati amerikan miratoi një paketë financimi që pritet t’i japë fund mbylljes më të gjatë të qeverisë në historinë e SHBA-së.
Projektligji u miratua me 60 vota pro dhe 40 kundër, pasi tetë senatorë demokratë iu bashkuan republikanëve për të zgjidhur krizën e financimit të qeverisë. I vetmi republikan që votoi kundër ishte Rand Paul. Dokumenti kalon tani në Dhomën e Përfaqësuesve, ku pritet të votohet deri të mërkurën, për t’u dërguar më pas presidentit Donald Trump, i cili ka shprehur mbështetjen për marrëveshjen dypartiake.
Çfarë parashikon projektligji
Marrëveshja zgjat financimin e qeverisë federale deri në janar 2026 dhe përfshin tre projektligje vjetore për agjenci dhe programe të ndryshme. Ajo rikthen në punë rreth 1.4 milion punonjës federalë që ishin në leje të papaguar ose punonin pa pagesë. Në këmbim të mbështetjes së tetë demokratëve, republikanët kanë rënë dakord të zhvillojnë një votim deri në mesin e dhjetorit për zgjatjen e kredive tatimore për kujdesin shëndetësor, një kërkesë kyçe e demokratëve.
Ndikimet e mbylljes dhe përfitimet e paketës
Mbyllja e qeverisë, që nisi në tetor, ka ndikuar ndjeshëm në shërbimet publike dhe ekonominë amerikane. Sipas organizatës FlightAware, të hënën u anuluan mbi 2,400 fluturime dhe 9,000 të tjera u vonuan. Mungesa e fondeve ka ndikuar gjithashtu në programet e ndihmës ushqimore për 41 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta. Projektligji garanton pagesën e plotë për punonjësit federalë dhe siguron financimin e Programit të Ndihmës Plotësuese për Ushqyerjen (SNAP) deri në shtator të vitit të ardhshëm.
Marrëveshja politike
Negociatat që zgjatën fundjavën përfunduan me një kompromis që siguron financimin e plotë për Departamentin e Bujqësisë, ndërtimin ushtarak dhe agjencitë legjislative deri më 30 janar. Gjithashtu, parashikohet një votim më vete në dhjetor për zgjatjen e subvencioneve të kujdesit shëndetësor që skadojnë këtë vit – një kërkesë për të cilën demokratët kishin vendosur kushte të forta përpara se të jepnin mbështetje për fondet e reja.