Plani i BE: Rrjet hekurudhor me shpejtësi të lartë midis kryeqyteteve europiane deri në 2040
BE synon që deri në vitin 2040 udhëtimi me tren midis kryeqyteteve evropiane të zgjasë vetëm pak orë, falë rrjetit të ri hekurudhor me shpejtësi të lartë që do të lidhë qytetet kryesore të kontinentit.
Sipas Komisionit Evropian, planifikohet që udhëtimet me tren midis kryeqyteteve të reduktohen ndjeshëm deri në vitin 2040, përmes modernizimit të rrjeteve ekzistuese dhe investimeve që arrijnë në qindra miliarda euro. Plani i veprimit, i paraqitur në Bruksel, synon që trenat të arrijnë shpejtësi mbi 200 kilometra në orë, duke e bërë udhëtimin me tren një alternativë më tërheqëse ndaj fluturimeve me distanca të shkurtra.
Trena më të shpejtë midis kryeqyteteve evropiane
Sipas parashikimeve, udhëtimet do të shkurtohen ndjeshëm: nga Berlini në Kopenhagen në katër orë në vend të shtatë, nga Mynihu në Romë në gjashtë orë në vend të nëntë e gjysmë, dhe nga Berlini në Vjenë përmes Pragës në katër orë e gjysmë në vend të më shumë se tetë. “Përmirësimi i kohëzgjatjes së udhëtimit midis kryeqyteteve evropiane është rezultat i prekshëm i angazhimit për një Evropë më të bashkuar dhe efikase,” tha zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Raffaele Fitto.
Rrjeti TEN-T dhe sfidat teknike
Projekti është pjesë e Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T), që synon ndërthurjen e infrastrukturës në të gjithë Bashkimin Evropian. Edhe pse ideja e një rrjeti të tillë daton që nga vitet 1990, shumë nisma janë penguar nga interesat kombëtare dhe standardet teknike të ndryshme. Plani i ri i Komisionit kërkon të kapërcejë këto pengesa përmes standardizimit të teknologjisë, ndërtimit të shinave të reja dhe modernizimit të stacioneve ekzistuese, duke u mbështetur në objektivat e Paktit të Gjelbër Evropian dhe politikat klimatike.
Kostoja dhe financimi i projektit
Komisioni Evropian vlerëson se ndërtimi i rrjetit të trenave me shpejtësi të lartë TEN-V do të kushtojë rreth 345 miliardë euro deri në vitin 2040. Nëse synohen shpejtësi që tejkalojnë 250 kilometra në orë, kostot mund të arrijnë deri në 546 miliardë euro deri në vitin 2050. Për të përshpejtuar zbatimin, BE planifikon të heqë pengesat për transportin ndërkufitar, të zhvillojë një strategji të re financimi dhe të inkurajojë partneritetet publike e private, përfshirë mbështetjen nga Banka Evropiane e Investimeve dhe institucionet kombëtare të zhvillimit.