Secondary Adv

Përjashtimet nga taksa e infrastrukturës do ulin të ardhurat me 300 mln lekë në 2026

Përjashtimet e reja nga taksa e ndikimit në infrastrukturë do të sjellin një ulje prej rreth 300 milionë lekësh në të ardhurat vendore për vitin 2026.

Sipas projektligjit të paketës fiskale për vitin 2026, përjashtohen nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë ndërtimet publike të financuara nga buxheti i qeverisjes qendrore dhe vendore në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale. Si pasojë, të ardhurat e bashkive nga kjo taksë do të bien me rreth 2% krahasuar me nivelin faktik të vitit 2024.

 

Përmbajtja e ndryshimeve ligjore

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 ‘Për sistemin e taksave vendore’, të ndryshuar” përcakton që ndërtimet publike do të përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Aktualisht, kjo taksë varion nga 1 deri në 3% në nivel vendi dhe nga 2 deri në 4% për Bashkinë e Tiranës.

 

Efekti në buxhetin vendor

Humbja prej 300 milionë lekësh do të kompensohet përmes rritjes së transfertës së pakushtëzuar nga buxheti i shtetit për njësitë e qeverisjes vendore në vitin 2026. Në vitin 2024, bashkitë arkëtuan 18.5 miliardë lekë nga kjo taksë, me një rritje prej 42% krahasuar me vitin 2023.

 

Tirana mban peshën kryesore të të ardhurave

Vetëm Bashkia e Tiranës siguroi 53% të totalit të të ardhurave, duke arkëtuar 14.3 miliardë lekë në vitin 2024, me një rritje prej 53% në krahasim me një vit më parë. Durrësi zë 7.4% të totalit, Elbasani 3.9%, Vlora 3.3%, Shkodra 2.9%, Fieri 2.6% dhe Korça 2.2%.

 

Rekord i lejeve të ndërtimit në kryeqytet

Rritja e ndjeshme e të ardhurave në Tiranë lidhet me volumin rekord të lejeve të ndërtimit në vitin 2024, që arritën mbi 1.9 milionë metra katrorë — niveli më i lartë që nga viti 2005. Sipërfaqja u rrit me 36% krahasuar me vitin 2023 dhe ishte rreth 7% më e lartë se rekordi i mëparshëm i vitit 2022.

 

Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat