Secondary Adv

100-vjetori i Bankës së Shqipërisë, Sejko: Institucioni rol të madh në integrimin drejt BE

Gjatë konferencës së 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, Sejko tha se vendi ndodhet në një moment delikat zhvillimi, ku konkurrenca për burime njerëzore dhe investime është forcuar ndjeshëm.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paralajmëroi se ekonomia shqiptare po përballet me një fazë të re konkurruese për kapital dhe fuqi punëtore në tregun evropian, duke theksuar nevojën për rritje të produktivitetit dhe inovacionit.

 

Ai theksoi se Shqipëria duhet të mbështesë modelin e saj ekonomik në produktivitet, teknologji dhe zhvillimin e avantazheve krahasuese, ndërsa përballet me trende të pafavorshme demografike që kufizojnë fuqinë punëtore të kualifikuar.

 

Sfidat gjeopolitike dhe ndikimi në ekonominë shqiptare

Guvernatori vuri në dukje se tensionet gjeopolitike dhe rikonfigurimi i zinxhirëve të prodhimit global po krijojnë sfida të reja për vendet në zhvillim. “Rritja e barrierave tregtare po pengon alokimin efektiv të resurseve dhe po redukton aftësinë për të tërhequr investime të huaja,” u shpreh Sejko. Ai shtoi se ky realitet rrit pasigurinë ekonomike dhe frenon investimet afatgjata, duke detyruar vendet të forcojnë rrjetet e sigurisë ekonomike me kosto të larta.

 

Inovacioni financiar dhe digjitalizimi

Një tjetër pikë thelbësore e fjalës së Sejkos ishte ndikimi i inovacionit të shpejtë financiar. Ai tha se “dekada e fundit ka sjellë një revolucion financiar, përmes digjitalizimit të sistemeve të pagesave, teknologjisë blockchain dhe aseteve digjitale”. Sipas tij, këto zhvillime rrisin eficiencën e sektorit financiar dhe aksesin në shërbime, por sjellin edhe rreziqe për institucionet tradicionale dhe rregullatorët për shkak të eksperiencës së kufizuar në këtë fushë.

 

Procesi i integrimit evropian si mundësi

Megjithëse ekonomia përballet me sfida të shumta, Sejko theksoi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian ofron një potencial të madh zhvillimi. Ai vlerësoi se përfitimet vijnë si në formë direkte, përmes rritjes së aksesit në programet e përbashkëta të BE-së, ashtu edhe në mënyrë indirekte, nga rritja e investimeve të huaja që burojnë nga përmirësimi i klimës së biznesit dhe reduktimi i rrezikut të perceptuar.

 

Emetohet monedha përkujtimore “100 vjet Banka e Shqipërisë”

Banka e Shqipërisë ka emetuar monedhën përkujtimore pa kurs ligjor “100 vjet Banka e Shqipërisë, 1925–2025”, e cila simbolizon rëndësinë e institucionit dhe përkujton ngjarjet kryesore që kanë shënuar historinë e tij. Në anën e pasme paraqitet në të majtë portreti i një djali me veshje popullore të Shqipërisë së mesme, i përdorur në kartëmonedhën e parë të vitit 1926, dhe në të djathtë portreti i poetit dhe atdhetarit Asdreni, i përfshirë në kartëmonedhën 10,000 lekë – emetimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë. Në faqen e përparme, monedha mban logon e 100-vjetorit të institucionit, të rrethuar nga datat historike që përfaqësojnë zhvillimin e bankingut qendror shqiptar.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat